Zvicra nxjerr monedhë të re ari prej 50 frangash, vetëm 4 mijë ekzemplarë

Zvicra nxjerr monedhë të re ari prej 50 frangash, vetëm 4 mijë ekzemplarë

Zvicra do të nxjerrë më 17 shtator një monedhë të re ari, kushtuar 120 vjetorit të ndërtesës së Swissmint në Bernë.

Sipas njoftimit të publikuar nga Swissmint, monedha e veçantë “120 vjet ndërtesa e Swissmint” është prodhuar nga aliazh ari 900, peshon 11.29 gramë dhe ka diametër prej 25 milimetrash, transmeton albinfo.ch.

Monedha ka vlerë nominale prej 50 frangash dhe do të prodhohet në një seri të kufizuar prej 4 mijë ekzemplarësh. Çmimi i shitjes është 1,265 franga, ndërsa ajo do të jetë në dispozicion nga 17 shtatori në dyqanin zyrtar online të Swissmint.

Në njërën anë të monedhës paraqitet ndërtesa e Swissmint, me elementet karakteristike të arkitekturës së saj. Në anën tjetër gjendet stema me kryqin zviceran, e frymëzuar nga dyshemeja me mozaik në pjesën e poshtme të shkallëve kryesore të ndërtesës. Aty shënohen gjithashtu vlera nominale prej 50 frangash, viti 2026 dhe shenja “B” e Swissmint.

Ndërtesa e Swissmint në lagjen Kirchenfeld të Bernës është ndërtuar ndërmjet viteve 1903 dhe 1906, sipas planeve të arkitektit bernas Theodor Gohl. Objekti hyri në funksion në maj të vitit 1906 dhe që atëherë aty prodhohen monedhat zvicerane.

Swissmint prodhon monedhat zvicerane në qarkullim në emër të Konfederatës Zvicerane, ndërsa që nga viti 1936 prodhon edhe monedha të veçanta për të përkujtuar ngjarje të rëndësishme historike e kulturore ose personalitete të njohura.

 

The post Zvicra nxjerr monedhë të re ari prej 50 frangash, vetëm 4 mijë ekzemplarë appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.