Zvicra ende e papërgatitur për valët e të nxehtit

Zvicra ende e papërgatitur për valët e të nxehtit

Pavarësisht se valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive, Zvicra ende nuk është e përgatitur sa duhet për t’u përballur me pasojat e tyre, veçanërisht në aspektin e shëndetit publik. Masat ndryshojnë ndjeshëm nga një kanton dhe qytet në tjetrin, ndërsa mungon një strategji e koordinuar në nivel kombëtar.

Vera e këtij viti ka sjellë temperatura ditore deri në 5–10°C mbi mesataren afatgjatë, ndërsa në disa zona temperaturat iu afruan 40°C. Në Lugano u regjistruan 49 net tropikale, kur temperatura nuk ra nën 20°C – rekord që nga fillimi i matjeve më 1865, transmeton albinfo.ch.

Disa qytete tashmë kanë ndërmarrë masa konkrete. Në Gjenevë, personat mbi 65 vjeç kanë mundur të përdorin falas dy pishina komunale gjatë mëngjesit dhe tre kinema me ajër të kondicionuar gjatë pasdites në ditët më të nxehta. Rreth 8,600 persona përfituan nga këto masa mes 18 qershorit dhe 5 gushtit. Berna dhe Lucerna mbajnë kontakte me të moshuarit gjatë valëve të të nxehtit, ndërsa Cyrihu ofron shërbime falas të mbështetjes në shtëpi.

Shqetësuese janë edhe pasojat shëndetësore. Të dhënat paraprake tregojnë se mes 22 dhe 28 qershorit, numri i vdekjeve ishte rreth 15% më i lartë se sa pritej, megjithëse ende nuk mund të përcaktohet se sa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me temperaturat e larta. Një studim tjetër vlerësoi se gjatë verës së vitit 2022, nxehtësia shkaktoi 623 vdekje në Zvicër.

Ekspertja Ana Maria Vicedo Cabrera nga Universiteti i Bernës kërkon që qeveria federale të hartojë një strategji kombëtare, me udhëzime dhe financim më të qartë për kantonet dhe komunat. Sipas saj, çdo banor duhet të ketë një nivel minimal mbrojtjeje, pavarësisht se në cilën pjesë të Zvicrës jeton.

Çështja pritet të marrë edhe më shumë vëmendje politike, pasi valët e të nxehtit dhe thatësira pritet të diskutohen gjatë sesionit vjeshtor të Parlamentit zviceran, që nis më 14 shtator.

The post Zvicra ende e papërgatitur për valët e të nxehtit appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.