Zvicra përgatit masa të reja ndaj azilkërkuesve që kryejnë vepra penale

Zvicra përgatit masa të reja ndaj azilkërkuesve që kryejnë vepra penale

Kriminaliteti mes një pjese të azilkërkuesve, veçanërisht atyre me prejardhje nga Afrika e Veriut, ka nxitur autoritetet zvicerane të ndërmarrin masa të reja.

Sipas të dhënave të papublikuara, të raportuara së fundmi nga mediat zvicerane, mbi 80 për qind e azilkërkuesve nga Afrika e Veriut dyshohet se gjatë procedurës së azilit ose pas marrjes së një vendimi negativ janë akuzuar për të paktën një vepër penale.

Sekretari i Shtetit për Migracionin, Vincenzo Mascioli, konfirmon se autoritetet e konsiderojnë situatën problem serioz.

“Ky është një problem real. Këta persona shkaktojnë një dëm të dyfishtë: nga njëra anë përmes sjelljes dhe veprave të tyre penale, ndërsa nga ana tjetër dëmtojnë edhe të gjithë personat në sistemin e azilit që sillen në mënyrë korrekte. Dhe këta përbëjnë 96 për qind të popullsisë së azilit në Zvicër”, ka deklaruar Mascioli për SRF.

Synohet mbyllja e boshllëqeve në sistem

Në kuadër të Strategjisë së Azilit 2027, Konfederata dhe kantonet po kërkojnë zgjidhje përmes një grupi të përbashkët pune.

Sipas Masciolit, instrumentet ekzistuese kundër azilkërkuesve që kryejnë vepra penale aktualisht nuk shfrytëzohen në mënyrë të plotë. Autoritetet përgjegjëse duhet të përmirësojnë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin mes tyre.

Një nga problemet që synohet të zgjidhet lidhet me rastet kur persona të vendosur në paraburgim me qëllim dëbimi duhet të lirohen për shkak se mungojnë dokumentet e nevojshme të udhëtimit.

SEM po përgatit edhe masa konkrete ligjore.

“Po punojmë për masa shumë të synuara, sepse kemi të bëjmë me një problem shumë specifik. Synojmë që brenda këtij viti t’i paraqesim Këshillit Federal një paketë ligjore në fushën e sigurisë”, ka bërë të ditur Mascioli.

Procedurë e re para hyrjes në sistemin e rregullt të azilit

Paralelisht me paketën e sigurisë, SEM po planifikon një paketë të dytë masash për të lehtësuar sistemin zviceran të azilit.

Ideja është që personat që dukshëm nuk kanë perspektivë reale për të marrë azil të mos hyjnë fare në procedurën e rregullt. Ata do të informoheshin në një fazë më të hershme se nuk kanë të drejtë për mbrojtje dhe se duhet të largohen nga Zvicra.

Mascioli ka përmendur katër kategori që mund të preken nga kjo procedurë: personat që vijnë nga shtete me shkallë shumë të ulët të njohjes së azilit, rastet ku kërkesa mbështetet vetëm në arsye mjekësore, shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian dhe personat që tashmë kanë status mbrojtjeje në një shtet tjetër.

Aktualisht, për personat me perspektivë të ulët për azil ekziston e ashtuquajtura procedurë 24-orëshe. Procedura e re paraprake mund ta zëvendësojë atë në shumë raste.

Deri në 5000 raste në vit mund të preken

Sipas vlerësimeve të SEM-it, procedura e re mund të ndikojë në rreth 20 për qind të kërkesave për azil.

“Për momentin po flasim ndoshta për rreth 4000 deri në 5000 persona”, ka thënë Mascioli.

Megjithatë, para zbatimit duhet të sqarohen një sërë çështjesh juridike. Autoritetet planifikojnë gjithashtu zhvillimin e një projekti pilot për të testuar procedurën e re.

Paketa e re e masave në fushën e sigurisë pritet t’i paraqitet Këshillit Federal brenda vitit 2026.

/SRF, albinfo.ch/

The post Zvicra përgatit masa të reja ndaj azilkërkuesve që kryejnë vepra penale appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.