Zvicra pritet të nxjerrë kreun e FIFA-s në “shesh betejë” me Donald Trump për tarifat
Zyrtarë të lartë politikë në Zvicër kanë kërkuar që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të përfshihet në përpjekjet diplomatike për të ndikuar presidentin amerikan Donald Trump, pasi vendi është goditur nga një tarifë 39% për eksportet drejt SHBA-ve më e larta në Evropë. Një senator i Dhomës së Lartë të Parlamentit zviceran dhe një ish-ambasador [...]Read More...

Zyrtarë të lartë politikë në Zvicër kanë kërkuar që presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, të përfshihet në përpjekjet diplomatike për të ndikuar presidentin amerikan Donald Trump, pasi vendi është goditur nga një tarifë 39% për eksportet drejt SHBA-ve më e larta në Evropë.
Një senator i Dhomës së Lartë të Parlamentit zviceran dhe një ish-ambasador kanë sugjeruar se Infantino, i cili ka lidhje të ngushta me Trumpin, mund të ndihmojë për të siguruar qasje te presidenti amerikan në mënyrë joformale, në një kohë kur përpjekjet zyrtare kanë dështuar.
Presidentja e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, dhe ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, u kthyen nga një vizitë në Uashington pa ndonjë rezultat konkret. Ata zhvilluan një takim me senatori amerikan Marco Rubio, por nuk arritën të takoheshin me presidentin Trump dhe tarifa e re mbeti në fuqi.
Në një postim në rrjetin social X, Keller-Sutter shkroi: “Në takimin e sotëm me ministrin e Jashtëm [Marco Rubio] diskutuam bashkëpunimin dypalësh mes Zvicrës dhe SHBA-së, situatën doganore dhe çështje ndërkombëtare.”
Dështimi në negociata ka shkaktuar zemërim publik dhe ka shtyrë disa figura politike që të kërkojnë strategji më kreative përfshirë edhe përdorimin e lidhjeve personale të Infantinos. Presidenti i FIFA-s, që vjen nga qyteti zviceran Brig, ka një marrëdhënie të afërt me Trumpin.
Guy Parmelin, një figurë kryesore e Partisë Popullore Zvicerane (SVP), ka njohje të hershme me Infantinon dhe ka qenë ministër i Sportit nga viti 2016 deri në 2018, periudhë kur Infantino u zgjodh në krye të FIFA-s. Në vitin 2021, Parmelin mbajti një fjalim në Kongresin e FIFA-s, ndërsa vitin e kaluar të dy u panë bashkë në ndeshjen Zvicër–Serbi. Infantino, në një postim në Instagram, e quajti Parmelinin “një mbështetës të madh të lojës sonë të bukur”.
Infantino ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Trumpit në janar dhe më 7 korrik të këtij viti vizitoi Trump Tower për të inauguruar një zyrë të re të FIFA-s në SHBA, teksa vendi pritet të bashkë-organizojë Kupën e Botës 2026.
Deputeti Roland Rino Büchel, gjithashtu anëtar i SVP-së, tha për Financial Times se është koha që Infantino të përfshihet në mënyrë aktive: “Duhet të përfshihet Gianni Infantino pa humbur kohë, për të ndihmuar në hapjen e dyerve. Nëse Parmelin do ta telefononte për ndihmë, jam i bindur se ai do të pranonte.”
Büchel shtoi se, përballë humbjeve të mundshme ekonomike dhe vendeve të punës që rrezikohen, Zvicra ka nevojë për “ide më të mira”. Ai theksoi se Infantino është personi më i përshtatshëm për të ndërmjetësuar një takim me Trumpin.
Edhe ish-diplomati Thomas Borer deklaroi për mediat zvicerane se përfshirja e Infantinos “nuk është ide e keqe” për të siguruar një takim me presidentin amerikan.
Ndërkohë, as Ministria e Ekonomisë në Zvicër dhe as FIFA nuk kanë pranuar të komentojnë mbi këto zhvillime.
Zvicra kishte zhvilluar disa raunde bisedimesh me përfaqësuesin tregtar të Trumpit, Jamieson Greer, dhe me sekretarin e Thesarit, Scott Bessent. Berna kishte shpresuar për një marrëveshje që do të ulte tarifat pranë 10 përqindëshit. Megjithatë, në një telefonatë të fundit me Keller-Sutter, Trump u përqendrua tek deficiti tregtar prej 39 miliardë dollarësh që SHBA ka me Zvicrën.
Shtypi lokal ka kritikuar menaxhimin e situatës nga ana e presidentes Keller-Sutter. Në një intervistë për CNBC këtë javë, Trump tha: “Zonja ishte e sjellshme, por nuk donte të dëgjonte” ankesat e tij për disbalancën tregtare.