Zyra e BE-së kërkon t’i transferohet urgjentisht buxheti RTK-së
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, ka takuar Eva Palatovan, u.d. udhëheqëse e Misionit të BE-së në Kosovë, me të cilën ka biseduar për rrugëtimin e RTK-së – nga arritjet dhe sfidat ndër vite, deri te kriza e rëndë buxhetore që po përjetojmë aktualisht, si pasojë e moskonstituimit

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, ka takuar Eva Palatovan, u.d. udhëheqëse e Misionit të BE-së në Kosovë, me të cilën ka biseduar për rrugëtimin e RTK-së – nga arritjet dhe sfidat ndër vite, deri te kriza e rëndë buxhetore që po përjetojmë aktualisht, si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në “Facebook”, u.d. drejtori i përgji9thshëm i RTK-së, Hysen Hundozi, bëri të ditur se me Palatovan ka biseduar për përpjekjet intensive që po bëjmë për të gjetur një zgjidhje të ligjshme financiare, në mënyrë që RTK të vazhdojë funksionimin pa ndërprerje.
“Gjatë takimit diskutuam gjithashtu edhe për planet tona për zhvillim, reforma dhe modernizim, si dhe për mundësitë për projekte mbështetëse në të ardhmen. E falënderova znj. Palatova dhe BE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin strategjik në mbrojtje të një transmetuesi publik të pavarur dhe profesional”, ka shkruar Hundozi.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatová, u takua me Ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, për të diskutuar sfidat aktuale të transmetuesit publik dhe nevojën urgjente për transferimin e buxhetit që do të mundësonte vazhdimin e transmetimit.
Ajo theksoi se RTK-ja luan një rol thelbësor në ofrimin e lajmeve të shpejta, të sakta dhe të paanshme për të gjitha komunitetet në Kosovë.
BE-ja nënvizon rëndësinë e sigurimit të financimit të qëndrueshëm për transmetuesin publik përmes një ligji të ri për RTK-në./RTK/