Një vit në krye të Strugës, Qyra: Kemi punuar me përkushtim, vazhdojmë të bëjmë histori me ndryshime
Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka prezantuar bilancin e punës gjatë vitit të parë të mandatit të tij, duke veçuar rezultatet në menaxhimin financiar dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
Qyra bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe komuna ka shlyer rreth 2.5 milionë euro borxhe të trashëguara, të cilat, sipas tij, kishin qenë edhe objekt i procedurave përmbarimore.
Sa i përket investimeve infrastrukturore, ai theksoi se shumica e projekteve janë drejt përfundimit, me një shkallë të realizimit prej rreth 80 për qind.
Ndër projektet e përmendura janë rruga e Kolektorit, rruga turistike, rruga e Kampit, si dhe ndërhyrjet në rrjetin e ujësjellësit për zëvendësimin e gypave të azbestit.
Kryetari i Strugës foli edhe për projektin e kanalizimit në Vranishtë, për të cilin tha se është realizuar në rreth 90 për qind.
“Një vit më parë morëm obligimin nga qytetarët për të bërë atë që kemi premtuar. Mendoj se kemi punuar me përkushtim dhe sot kemi rezultate që qytetarët i kanë pritur. Kemi bërë histori para një viti dhe vazhdojmë ta bëjmë historinë me ndryshime”, u shpreh Qyra.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.