17 vjet shtet/ Pas shpalljes së Pavarësisë 350 mijë qytetarë ikën nga Kosova, 114 mijë prej tyre veç gjatë katër viteve të fundit
Nga viti 2012 e deri me 2023, rreth 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Veçmas, ikja më e madhe e qytetarëve ka ndodhur nga viti 2020, ku nga ky vit deri me 2023 nga Kosova janë larguar 114.250 persona, referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, raporton FrontOnline. Sipas Agjencisë së Statistikave
Nga viti 2012 e deri me 2023, rreth 350 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Veçmas, ikja më e madhe e qytetarëve ka ndodhur nga viti 2020, ku nga ky vit deri me 2023 nga Kosova janë larguar 114.250 persona, referuar të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, raporton FrontOnline.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përkatësisht regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 Kosova ka pasur rreth 1.74 milionë banorë, ndërsa bazuar në regjistrimin e fundit të vitit 2024 numri i banorëve ka rënë në 1.6 milionë banorë. Në mungesë të regjistrimit të mëhershëm të popullsisë, nuk dihet sa qytetarë e kanë braktisur vendin gjatë tri viteve të para pas shpalljes së pavarësisë, nga viti 2008 e deri në 2011, kur ka ndodhur regjistrimi i parë i popullsisë ne vend
Ndër faktorët që kanë ndikuar në ikjen kaq masive të qytetarëve sipas sociologëve dhe njohësve të ekonomisë janë mundësitë më të mira ekonomike jashtë Kosovës, kërkesa e lartë për punë dhe kushte më të mira jetese, si dhe mundësia për të siguruar një standard më të lartë jetese
Një tjetër faktor që kontribuon në këtë emigrim është edhe pasiguria politike dhe sociale në vend, e cila ka krijuar ndjesinë e një të ardhmeje të pasigurt. Mungesa e stabilitetit politik, periudhat e pasigurisë ekonomike, dhe problemet e vazhdueshme me sundimin e ligjit kanë bërë që shumë qytetarë të kërkojnë mundësi më të sigurta dhe të qëndrueshme jashtë vendit.
Po ashtu, një nga faktorët që ndikon në këtë valë të emigracionit është përmirësimi i kushteve për marrjen e vizave dhe mundësitë për emigrim në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Kjo ka bërë që shumë kosovarë të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen për të kaluar në shtete të tjera, kryesisht për të kërkuar punë, por edhe për të krijuar një jetë më të mirë për familjet e tyre.
Reçica: Në vend të zhvillimit, po shohim ekzod, Kosova të merr masa për ndaljen e emigrimit, rrezik të mbesim pa fuqi punëtore
Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, ka folur në lidhur me ikjen e qytetarëve të Kosovës, për gjatë viteve të fundit, e ku numri i të larguarve nga Kosova është 365 mijë qytetarë.
Reçica thotë se askush nuk e kishte imagjinuar se pas gjithë atyre sakrificave, Kosova do të përballej me këtë eksod kaq masiv.
‘’Askush nuk e kishte imagjinuar se pas Luftës së Kosovës, me gjithë ato sakrifica të një populli të tërë, të bëra për liri dhe dinjitet, vendi do të përballej me një eksod të qytetarëve të tij. Sot, në vend që të shohim zhvillim dhe përparim, po shohim të rinj që largohen nga atdheu, duke braktisur vendin e tyre, i cili nuk u ofron asnjë perspektivë’’ thotë ai për FrontOnline.
Për të, numri kaq i lartë i qytetarëve që kanë ikur nga Kosova nuk qëndron thjeshtë si statistikë, por një realitet i hidhur.
‘’Kjo nuk është thjesht një statistikë, por një realitet i hidhur që po e zbraz Kosovën nga forca e saj më vitale. Shkaktarët e këtij fenomeni janë të qartë dhe të njohur: mungesa e mundësive për punësim, pasiguria ekonomike dhe sociale, korrupsioni i institucionalizuar, mungesa e reformave të qëndrueshme dhe një model qeverisjeje që nuk ka sjellë ndryshime të prekshme në jetën e qytetarëve. Në vend që të krijohen politika zhvillimore dhe të hapen horizonte të reja për qytetarët, vendi vazhdon të mbetet i ngecur në një rreth vicioz të pasigurisë ekonomike dhe sociale, duke bërë që emigrimi të mos jetë më një zgjedhje, por një domosdoshmëri për shumë familje’’ deklaroi ai.
Sipas tij, papunësia është ndër arsyet kryesore që kanë rritur numrin kaq të lartë që qytetarët të largohen nga Kosova e po asht edhe dështimi i sistemit arsimor.
‘’Papunësia, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë, ka arritur nivele alarmante, duke i detyruar qytetarët të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit. Një tjetër faktor shqetësues është dështimi i sistemit arsimor për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës, duke krijuar një mospërputhje të thellë mes kualifikimeve të qytetarëve dhe mundësive reale për punësim’’ thotë ai.
Ai sugjeron marrjen e hapave konkret për ta ndryshuar gjendjen në vend dhe për të marr masa që do të mund ta ndalnin ikjen e qytetarëve të vendit, pasi që sipas tij nëse kjo vazhdon, Kosova mund të mbetët pa fuqi punëtore.
‘’Në këtë situatë, në vend që të ndërmerren hapa konkretë për të ndryshuar gjendjen, shpesh shohim premtime boshe dhe masa të fragmentuara që nuk sjellin asnjë zgjidhje afatgjatë. Nëse kjo tendencë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet pa fuqinë e saj më vitale – të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar. E ardhmja nuk ndërtohet me retorikë dhe projekte në letër, por me politika të guximshme dhe vendime strategjike që i japin fund këtij eksodi të dhimbshëm’’ u shpreh ish-ministri Skënder Reçica.
Ikja masive e qytetarëve, Gërxhaliu: Po arrihet aspirata shekullore e Serbisë për një Kosovë të zbrazur, turp për politikanët
Ish-kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për FrontOnline, thotë se në mungesë të zhvillimit ekonomik dhe politik Kosova po zbrazet në heshtje.
‘’Shumë probleme po anashkalohen. Në mungesë të zhvillimit politik dhe ekonomik, Kosova po braktiset çdo ditë e më tepër. Duke iu referuar ASK-së për ikjen e 350 mijë personave nga 2012 është njëri nga indikatorët më shqetësues që duhet të turpërohen shumë qeveri dhe politikan në vitet e fundit’’ thotë ai.
Gërxhaliu, thotë se kush do që krenohet me të arriturat në Kosovë është e turpshme përderisa po ik nga Kosova gjenerata më vitale e vendit.
‘’Kosova po zbrazet në heshtje, dhe nëse shkoni nëpër ambasada e shihni se bonuset për leje të punës janë të mbaruar edhe për vitin tjetër. Dikush sot të ketë arsye për tu krenuar është e turpshme’’ shprehet ai.
Sipas tij, me ikjen e kësaj gjenerate, po shkatërrohet ekonomia dhe kësisoji edhe kontributet në ATK zvogëlohen.
‘’Me ikjen e moshës më vitale, do të shkatërrohet ekonomia dhe kjo do të ndikoj në rritjen e ekonomisë së Kosovës, sa më shumë zbrazet Kosova ka më pak konsum, ka më pak kontribut në ATK’’ deklaroi ai.
Gërxhaliu, shton se mbi të gjitha me këtë ikje masive, po arrihet aspirata e Serbisë ndër shekuj për një Kosovë të zbrazur.
‘’Mbi të gjitha është dimensioni demografik sepse po arrihet aspirata e Serbisë për një Kosovë të zbrazur’’ u shpreh ai.
Paralajmëron sociaologu pas ikjes masive të qytetarëve: Do të kenë probleme shteti dhe bizneset
Sociologu, Bekim Selishta, për FrontOnline e sheh si rrezik ikjen e qytetarëve nga Kosova, madje thotë se pjesa që është larguar nga Kosova janë kryesisht gjenerata më vitale e vendit.
‘’Pjesa që kanë emigruar janë kryesisht pjesa që janë e aftë për punë që është gjenerata më vitale, më e rëndësishme e vendit. Tek ne kjo moshë po largohet’’ thotë ai.
Selishta, potencon se me largimin e qytetarëve, Kosova do të ketë probleme dhe këto pasoja do i ndjejnë edhe bizneset dhe firmat, por edhe vetë shteti.
‘’Kemi me pasur probleme edhe firmat edhe bizneset edhe shteti me ikjen e kësaj moshe. Problem tjetër është se tek ne ka punuar komplet gjenerata, ku popullata është plakur për 5 vite dhe ky është rrezik i madh’’ shprehet ai.
Sipas tij, mos siguria e vendit të punës, pagesat jo të rregullta dhe mos respektimi i punëtorit, kanë sjellur që të ketë emigrim të lartë.
‘’Mos siguria e punës, sigurimi i vendit të punës, mos pagesa me rregull. Siguria e kontratës së punës’’ u shpreh sociologu Selishta
Ikja masive e qytetarëve, Muhaxheri: Pa masa konkrete, ky trend do të vazhdojë, duke e dobësuar edhe më shumë ekonominë e Kosovës
Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, për FrontOnline, thotë se ikja masive ka ndodhur si rezultat i mungesës së mundësive për punë dhe pagesave të ulëta.
‘’Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga viti 2012 deri në vitin 2023, rreth 365 mijë qytetarë janë larguar nga vendi. Ky emigrim masiv është rezultat i mungesës së mundësive të punës, pagave të ulëta, mungesës së perspektivës dhe skemave të reja të punësimit në BE’’ thotë ai.
Sipas Muhaxherit, largimi i qytetarëve ka shkaktuar mungesë të largimit të fuqisë punëtore e veçmas në sektorin e ndërtimtarisë dhe shërbimeve industriale
‘’Largimi i qytetarëve ka shkaktuar mungesë të fuqisë punëtore, sidomos në ndërtimtari, shërbime dhe industri, duke dëmtuar bizneset dhe ekonominë. Rënia e konsumit dhe sfidat për sigurimet shoqërore janë probleme që do të ndikojnë afatgjatë’’ shprehet ai.
Për të Qeveria Kurti, ka dështuar të krijojë politika që do të mund ta ndalnin ikjen e qytetarëve.
‘’Qeveria Kurti ka dështuar të krijojë politika efikase për të frenuar këtë fenomen, duke mos ofruar zgjidhje për rritjen e investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës’’ deklaroi Muhaxheri
Sipas tij, pa masa konkrete, trendi i ikjes do ta vazhdojë edhe më tutje dobësimin e ekonomisë kosovare.
‘’Pa masa konkrete, ky trend do të vazhdojë, duke e dobësuar edhe më shumë ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës’’ deklaroi ai.