A kanë pasur komunikim për Qeverinë e re me pozitën apo opozitën? Flasin deputetët e pakicave jo-serbe
Ka kaluar një muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por deri më tani ende nuk është përmbyllur procesi i certifikimit të rezultateve zgjedhore, çka ka pamundësuar formimin e institucioneve të reja, përfshirë Qeverinë e re, raporton FrontOnline. Kjo ka bërë që proceset politike të jenë ngadalësuar, duke përfshirë edhe negociatat dhe kontaktet
Ka kaluar një muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, por deri më tani ende nuk është përmbyllur procesi i certifikimit të rezultateve zgjedhore, çka ka pamundësuar formimin e institucioneve të reja, përfshirë Qeverinë e re, raporton FrontOnline.
Kjo ka bërë që proceset politike të jenë ngadalësuar, duke përfshirë edhe negociatat dhe kontaktet për formimin e koalicioneve qeveritare, pasi partitë politike dhe grupet parlamentare janë duke pritur për certifikimin e rezultateve nga Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërkohë nga KQZ potencojnë se janë duke pritur vendimet nga organet kompetente për të bërë certifikimin e rezultatit zgjedhor.
Partitë politike, përfshirë edhe ato që përfaqësojnë pakicat jo-serbe, janë duke pritur që ky proces të përfundojë, pasi certifikimi i rezultateve është kyç për të njohur përfundimisht numrin e mandateve që secila parti ka fituar dhe më pas nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja.
Rexhepi: Nuk kemi pasur kontakte për formimin e Qeverisë së re, por jemi gati me e përkrah Kurtin
Kryetarja e partisë NDS, njëkohësisht zëvendëskryeministrja e vendit, Emilja Rexhepi, ka folur për FrontOnline, rreth formimit të Qeverisë së re.
Sipas saj deri më tani nuk kanë pasur asnjë komunikim për formimin e institucioneve.
‘‘Jo ende’’, thotë Rexhepi.
Ajo deklaron se janë duke pritur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
‘’I presim rezultatet e certifikuara nga KQZ, pastaj folim’’, u shpreh ajo.
Deri më tani Rexhepi thotë se janë takuar vetëm me deputetët jo-serb për ta formuar grupin e tyre parlamentar.
‘’Deri tani kemi takuar vetëm deputetë për ta formuar grupin parlamentar multi-etnik, me 8 deputetë’’, tha ajo.
Sipas saj, ata janë të gatshëm ta përkrahin Albin Kurtin.
‘’Jemi gati me e përkrah Albin Kurtin’’ tha ajo.
Sipas saj, janë tetë deputetë, pa përfshirë deputeten Balje dhe deputetin Hoxha.
‘’Tetë deputetë pa Baljen dhe Hoxhën’’ përfundoi Rexhepi.
Balje: S’kemi pasur takime, partitë shqiptare po i kryejnë matematikat e tyre mes vete, pastaj me ne
Deputetja Duda Balje, aktualisht kryetare e Unionit Social-Demokrat, ka folur për FrontOnline, rreth formimit të Qeverisë së re.
Balje thotë deri më tani nuk kanë pasur komunikimin me kreu ne VV-së, Albin Kurtin por as me dikë nga opozita për formimin e Qeverisë së re.
‘’Nuk ka pasur komunikimin as me Kurtin e as me opozitën’’, tha ajo.
Balje potencon se madje për këtë çështje nuk kanë pasur asnjë thirrje.
‘’Nuk kemi pasur asnjë thirrje’’ deklaron ajo.
Sipas deputetes Balje, fillimisht partitë shqiptare janë duke i bërë matematikat e tyre e më pas të i bëjnë me pakicat.
‘’Së pari ata janë duke i bërë matematikat e tyre e më pas me neve’’ u shpreh Balje për FrontOnline
A keni bisedu me Kurtin? Kinolli nga partia rome: Jemi duke pritur…
Albert Kinolli, kryetar i Partisë Rome të Bashkuar (PRYK), për FrontOnline ka folur në lidhje me formimin e institutcioneve të reja të Kosovës.
Kinolli nga pakica rome: Jemi duke pritur…
‘’Jemi duke pritur certifikimin’’, thotë ai.
I pyetur se e ka pasur ndonjë komunikimin, Kinolli tha se deri në këto momente janë vetëm duke pritur cerfitikimin.
‘’Deri ne këto momente jemi duke pritur certifikimin’’, tha ai duke mos specifikuar asgjë.
Deputeti Berisha nga partia egjiptiane tregon se a ka pasur komunikim me pozitën apo opozitën për Qeverinë e re
Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, për FrontOnline, ka folur rreth mundësisë së formimit të Qeverisë së re.
Berisha potencon se deri më tani nuk kanë qëndrim.
‘’Nuk kemi qëndrim për media’,’ tha ai.
I pyetur se a kanë pasur komunikim me dikë nga pozita apo opozita, Berisha tha se s’mund të përgjigjet.
‘’Nuk mund te përgjigjem’’, tha shkurt Berisha.
/FrontOnline/