Aktakuza ndaj Shehollit, OVL: Të vërtetohet nëse BIA mblodhi materiale për luftën e UÇK-së, të ndiqen provat kudo që çojnë ato

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas ngritjes së aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i dyshuar për spiunazh për Serbinë, duke kërkuar që rasti të mos trajtohet vetëm si çështje e përgjegjësisë individuale, por edhe si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës.
OVL UÇK ka thënë se duhet të gjurmohet çdo lidhje në zbulimin e “rrjeteve më të gjera”.
“OVL UÇK, kërkon që aktakuza ndaj Fatmir Shehollit të mos trajtohet thjesht si çështje e përgjegjësisë individuale, por si çështje e sigurisë kombëtare të Kosovës. Respektojmë prezumimin e pafajësisë; fajësia vërtetohet vetëm përmes procesit gjyqësor të pavarur, profesional dhe transparent. Por akuzat për spiunazh dhe shantazh, përfshirë bashkëpunimin e supozuar me BIA-n e Serbisë, i detyrojnë institucionet të gjurmojnë çdo kontakt, ndërmjetës, burim, komunikim, lidhje financiare dhe marrës të materialeve të ndjeshme. Nëse provat zbulojnë rrjete më të gjera, ato duhen shpërbërë pa hezitim. Kosova nuk duhet të tolerojë struktura të fshehta që grumbullojnë informacione, formësojnë narrativa apo u shërbejnë interesave të huaja kundër sigurisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial”, thuhet në reagim.
OVL UÇK kërkon gjithashtu që institucionet të verifikojnë nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale që lidhen me luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Institucionet duhet të vërtetojnë gjithashtu nëse shërbimet inteligjente armike kanë mbledhur, përcjellë apo shfrytëzuar materiale për luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së. Kjo nuk e barazon aktakuzën ndaj Shehollit me proceset pranë Dhomave të Specializuara; kjo kërkon qartësi mbi origjinën, përcjelljen, kontekstin dhe përdorimin e materialeve që mund të sjellin pasoja politike, institucionale apo gjyqësore. Beteja për mbrojtjen e të vërtetës së UÇK-së nuk përfundoi më 12 qershor 1999. Ajo vazhdon kundër luftës hibride, propagandës dhe shtrembërimit të qëllimshëm të historisë mbi të cilën ngrihet ky shtet. Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë duhet të ndjekin provat kudo që të çojnë. Kosova ka të drejtë të dijë kush punoi kundër saj, përmes cilave kanale dhe në interes të kujt”, thuhet në reagim.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



