Rama akuzon Qeverinë për përjashtimin e tij nga forumi për “Lojërat Mesdhetare 2030”: Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit

Rama akuzon Qeverinë për përjashtimin e tij nga forumi për “Lojërat Mesdhetare 2030”: Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Albin Kurtit se ka kërkuar përjashtimin e tij nga lista e folësve në forumin “Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage”, i organizuar nga European Investors Council (EIC).

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se, pavarësisht se Prishtina është qyteti nikoqir i “Lojërave Mesdhetare 2030”, ai nuk është përfshirë në mesin e folësve në forum, sipas tij, me kërkesë të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Sportit.

Rama e ka cilësuar këtë si “vendim politik” dhe “presion ndaj organizatorëve”, duke mohuar se bëhet fjalë për një çështje protokollare.

“Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik”, ka shkruar Rama.

Ai ka kritikuar faktin që një forum i dedikuar koordinimit, partneritetit dhe investimeve për vitin 2030, sipas tij, po shoqërohet me përjashtimin e kryetarit të qytetit nikoqir nga fjala.

“Lojërat Mesdhetare nuk janë instrument partiak i Vetëvendosjes. Prishtina 2030 nuk është pronë politike e askujt”, ka deklaruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se, edhe nëse kryeministri Kurti mund të ndikojë në listën e folësve, projekti i “Prishtina 2030” është më i madh se interesat politike.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.