Alarm për eksploziv në Gjermani, raketa të improvizuara pranë një termocentrali

Alarm për eksploziv në Gjermani, raketa të improvizuara pranë një termocentrali

Një incident i pazakontë ka ndodhur pranë termocentralit Jänschwalde, në landin gjerman Brandenburg, jo larg kufirit me Poloninë, transmeton albinfo.ch.

Të martën, në një nënstacion elektrik pranë termocentralit janë zbuluar disa pajisje të dyshimta, të cilat dyshohet se ishin raketa të improvizuara të pajisura me lëndë shpërthyese.

Sipas raportimeve, ndërtesa e nënstacionit ishte goditur më shumë se një herë nga këto mjete. Policia ka konfirmuar gjithashtu dëmtime të mundshme në një linjë elektrike.

Operatori i termocentralit, kompania Leag, e ka cilësuar ngjarjen si sulm ndaj nënstacionit elektrik.

Pajisjet u neutralizuan

Forcat e sigurisë kanë siguruar dhe neutralizuar të gjitha pajisjet e tjera të dyshimta të gjetura në zonë.

Një zëdhënëse e policisë ka bërë të ditur se bëhej fjalë për disa pajisje jokonvencionale shpërthyese dhe ndezëse. Sipas autoriteteve, mjetet dyshohet se ishin të prodhuara në mënyrë artizanale.

Deri tani nuk është bërë e ditur se çfarë lloj raketash ishin konkretisht dhe kush qëndron pas incidentit.

Synohej ndërprerja e energjisë

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat gjermane, dyshohet se qëllimi i sulmit ishte shkaktimi i një ndërprerjeje të gjerë të furnizimit me energji elektrike, transmeton tutje albinfo.ch.

Megjithatë, rrjeti elektrik nuk pësoi dëme të mëdha. Operatori i rrjetit ka deklaruar se pati vetëm një ndërprerje të shkurtër të linjës, ndërsa furnizimi me energji mbeti i qëndrueshëm.

Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.

Termocentrali Jänschwalde është një nga objektet më të rëndësishme energjetike në Brandenburg. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Banorëve të zonës u është bërë thirrje të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë në polici çdo person apo ngjarje të dyshimtë. /Albinfo.ch

The post Alarm për eksploziv në Gjermani, raketa të improvizuara pranë një termocentrali appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.