Ambasada e SHBA-së: Ngërçi politik po i kushton Kosovës, liderët të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka përsëritur thirrjen për formimin e institucioneve të Kosovës, duke paralajmëruar se vazhdimi i ngërçit politik po i kushton vendit me humbje mundësish.
Në një përgjigje për RTV21, Ambasada amerikane ka theksuar se institucionet duhet të formohen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret që udhëheqësit të veprojnë në interesin më të mirë të vendit”, ka deklaruar një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Ambasada ka paralajmëruar se zvarritja e situatës politike po sjell pasoja për Kosovën.
“Ngërçi i vazhdueshëm po i kushton Kosovës me humbje mundësish; udhëheqësit duhet t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



