Arben Ahmeti për takimin Kurti–Hamza: Një lumturi diplomatike pa hapa konkretë

Takimi i sotëm mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka ngjallur vëmendje të madhe politike, por pa sjellë ndonjë zhvillim konkret drejt një koalicioni të mundshëm ndërmjet VV-së dhe PDK-së. Sipas gazetarit dhe drejtorit të Media 10, Arben Ahmeti, ky takim i ka shërbyer më shumë krijimit të një

Arben Ahmeti për takimin Kurti–Hamza: Një lumturi diplomatike pa hapa konkretë

Takimi i sotëm mes Kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka ngjallur vëmendje të madhe politike, por pa sjellë ndonjë zhvillim konkret drejt një koalicioni të mundshëm ndërmjet VV-së dhe PDK-së.

Sipas gazetarit dhe drejtorit të Media 10, Arben Ahmeti, ky takim i ka shërbyer më shumë krijimit të një atmosfere pozitive për të gjithë ata diplomatë dhe akterë që prej kohësh kanë shtyrë skenarin e njohur si “mirë kish me qenë”.

Ky është  shkrimi i plotë i Ahmetit:

Disa detaje rreth takimit të sotëm mes Albin Kurtit dhe Bedri Hamzës
Shtetet anëtare të Quint-it asnjëherë më parë nuk kanë qenë më pak të përfshira në një krizë politike në Kosovë sesa kësaj here. Për ilustrim: është hera e parë që në një ndërmjetësim, më shumë është angazhuar një ambasadë e një shteti mik nga një kontinent tjetër, sesa pesë ambasadat e Quint-it së bashku.
Ky hezitim ka disa arsye:
1. Mosbesimi ndaj Albin Kurtit
2. Mosbesimi ndaj partive të tjera
3. Paqartësia nëse duhet t’i mundësohet mandati i tretë Kurtit
4. Paqartësia gjeopolitike
Të gjitha këto, veçmas por edhe së bashku, kanë sjellë një nga momentet më të mëdha të hezitimit diplomatik në historinë politike të Kosovës.
Megjithatë, ekziston një skenar që e largon hezitimin e tretë – atë për mandatin e tretë të Kurtit – dhe në mënyrë të tërthortë zgjidh edhe paqartësinë mes shteteve të Quint-it, duke krijuar një mundësi stabiliteti: një koalicion mes VV-së dhe PDK-së, ku Bedri Hamza do të ishte Kryeministër, ndërsa Kurti President.
Ky skenar do të mund të shoqërohej me aranzhime shtesë, si zgjerimi i kompetencave të presidentit dhe mundësia që pas pesë vjetësh ai të zgjidhet me votë direkte nga qytetarët. Në këtë mënyrë, Kurti do të kishte një rrugë të qartë për të synuar 10 vite në pushtet.
Ky skenar është shkruar. Por aty ka mbetur.
Nuk ka interes për të gjetur një figurë që flet anglishten përtej Atlantikut, t’i shkojë në zyrë Kurtit dhe ta shtyjë këtë ide.
U është lënë evropianëve. Dhe këta nuk e kanë qasjen: merre ose lëre.
Evropianët preferojnë të thonë: “Mirë kish me qenë.”
Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Hamzës ishte takim për t’i lumturuar të gjithë të angazhuarit në skenarin “mirë kish me qenë”.
Sot kanë buzëqeshur fytyrat e pak diplomatëve të përfshirë në këtë prapaskenë. U lumturuan të gjithë.
U lumturua Kurti, sepse u prit si Kryeministër nga rivali më i madh i zgjedhjeve të fundit.
Madje, bindi elektoratin se ishte aty për të diskutuar rreth kufirit ndërkomunal.
U lumturua Hamza, sepse u rikonfirmua si një faktor i rëndësishëm politik dhe figurë unifikuese.
Përtej kësaj lumturie, nuk u bë asnjë hap konkret në drejtim të një koalicioni.
Ai mbetet thjesht në opsionin: mirë kish me qenë.
Por për tani, është ende larg.