Ardon Jashari e ka zgjedhur Milanin – Tare: ‘Po na pret’

Milan ka hyrë në një epokë të re me emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv dhe rikthimin e Massimiliano Allegrit në stolin kuqezi. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e “Casa Milan”, Tare prezantoi zyrtarisht trajnerin e ri dhe dha detaje mbi planet për sezonin 2025-26. “Mirëmëngjes të gjithëve dhe faleminderit […]

Ardon Jashari e ka zgjedhur Milanin – Tare: ‘Po na pret’

Milan ka hyrë në një epokë të re me emërimin e Igli Tares si drejtor sportiv dhe rikthimin e Massimiliano Allegrit në stolin kuqezi.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e “Casa Milan”, Tare prezantoi zyrtarisht trajnerin e ri dhe dha detaje mbi planet për sezonin 2025-26.

“Mirëmëngjes të gjithëve dhe faleminderit që jeni këtu në këtë prezantim të rëndësishëm. Dua të falënderoj Allegrin dhe stafin e tij për entuziazmin dhe gatishmërinë që kanë treguar që në fillim. Ne pamë tek ai një figurë me përvojë dhe mentalitet të fortë fitues. Ishte një zgjedhje e përbashkët me drejtuesit e klubit,” deklaroi Tare, transmeton ORAinfo.

Drejtori i ri i Milanit ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës së re dhe ka zhvilluar takime intensive me agjentë dhe drejtues klubesh që në ditët e para të detyrës së tij. Objektivi kryesor është përforcimi i ekipit në disa reparte kyçe, përfshirë një sulmues të ri, dy mbrojtës anësorë dhe të paktën një mesfushor.

Një nga emrat që përmendet prej javësh është ai i Ardon Jasharit, mesfushorit shqiptar që aktivizohet te Club Brugge.

“Mund t’ju them se Jashari dëshiron të luajë për Milanin. Por duhet të respektojmë dinamikat dhe vendimet e Brugge. Ne besojmë se kemi bërë ofertën e duhur dhe shpresojmë që gjithçka të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme,” tha Tare, duke konfirmuar interesimin konkret të klubit për reprezentuesin shqiptar.

Milan synon të kthehet në majat e futbollit italian dhe evropian pas një sezoni zhgënjyes ku përfundoi në vendin e tetë në Serie A. Me Taren në drejtim dhe Allegrin në stol, kuqezinjtë duken të vendosur për të kthyer lavdinë e dikurshme. /ORAinfo/