Ambasadori Antonini: Kosova përqafon kulturën dhe gjuhën italiane
Gjuha italiane po fiton gjithnjë e më shumë terren në Kosovë. Ambasadori italian, Maurizio Antonini, ka deklaruar se interesimi i studentëve për të mësuar italisht po rritet ndjeshëm, duke reflektuar lidhjet kulturore dhe arsimore gjithnjë e më të forta mes Kosovës dhe Italisë. Kështu, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot

Gjuha italiane po fiton gjithnjë e më shumë terren në Kosovë. Ambasadori italian, Maurizio Antonini, ka deklaruar se interesimi i studentëve për të mësuar italisht po rritet ndjeshëm, duke reflektuar lidhjet kulturore dhe arsimore gjithnjë e më të forta mes Kosovës dhe Italisë.
Kështu, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot një ligjëratë akademike me profesorin italian Leonardo M. Savoia, në prani të ambasadorit të Italisë në Kosovë dhe përfaqësuesve të udhëheqësisë universitare. Me këtë rast, dilplomati italian në Prishtinë, Maurizio Antonini, tha se gjuha italiane po përhapet në Kosovë, duke theksuar interesimin e studentëve që është gjithnjë në rritje për të mësuar këtë gjuhë.
“Instituti i gjuhës dhe kulturës italiane i Universitetit të Prishtinës ka filluar aktivitetet e tij dhe tani është më në fund e mundshme që të bëhen certifikimet e gjuhës italiane në Kosovë në Fakultetin e Filologjisë tani që ka një asistente italiane. Në vitet e fundit dy shkolla të reja private kanë filluar të ofrojnë italishten në ofertën e tyre të programit jo akademik dhe janë shenja premtuese për të ardhmen, ndoshta do të ketë edhe në Pejë, një qytet ka një prani të madhe të ushtarëve italianë brenda misionit të KFOR-it e cila funksionon si një shtysë e rëndësishme kulturore. Vit pas viti ne regjistrojmë më shumë interesime nga studentët Kosovarë që të studiojnë gjuhën italiane si dhe bashkëpunime akademike dhe kulturore ndërmjet vendeve tona. Dje pikërisht Italia ka përuruar ERASMUS+ në një sallë të stërmbushur të Europehouse, pra studentë dhe studente që janë shumë entuziastë”, tha Antonini.
Ngjarja, e organizuar nga Rektorati i UP-së në bashkëpunim me departamentet e gjuhëve të huaja, kishte për qëllim nxitjen e bashkëpunimit akademik ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe institucioneve arsimore të Italisë, si dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e gjuhësisë dhe studimeve ndërkombëtare. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të fundjavës italiane në Kosovë me temën “Gjuha Italiane përtej kufinjve”.
Profesori Leonardo Savoia i cili prezantoi ligjëratën e tij, u shpreh në gjuhën shqipe duke falenderuar të pranishmit. Më tej, ai filloi të tregonte për ndërlidhjen e gjuhës italiane si gjuhë neolatine me gadishullin ballkanik.
Kurse prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Rozafa Basha, tha se interesimi për gjuhën italiane në Kosovë është në rritje, duke theksuar projektet dhe aktivitetet që po zhvillohen në kuadër të këtij interesimi.
“Disa vite më parë themeluam institutin e gjuhës dhe kulturës italiane në Fakultetin e Filogjisë, një qendër e çmuar e studimeve dhe bashkëpunimit kulturor, gjuha italiane ofrohet si pjesë e programeve të rregullta në fakultetin e filologjisë dhe gjithashtu më qendrën e gjuhëve të Fakultetit të Filologjisë duke u bërë një urë e qëndrueshme ndërmjet kulturave tona. Simbolikisht fakti që kjo ligjëratë zhvillohet në sallën e senatit të Universitetit të Prishtinës tregon respektin dhe vlerësimin tonë të thellë për gjuhën dhe kulturën intelektuale italiane. Në të njëjtën frymë, çdo vit në Universitetin ndërkombëtar veror të Prishtinës mirëpresim profesorë italianë që sjellin përvojën e tyre pedagogjike dhe studimore si dhe studentë italianë që ndjekin kurset tona verore. Sa për të përmendur, këtë vit kemi pasur profesorë nga universiteti i Napolit dhe nga Universiteti i Milanos që kanë kontribuar me kurse dhe punëtori në fakultetin e Ekonomisë duke sjellë një energji të re akademike dhe kulturore”, u shpreh ajo.
Në këtë aktivitet morën pjesë ambasadori italian në Kosovë, Maurizio Antonini, Prorektorja e UP-së, Rozafa Basha, drejtoresha e institutit të gjuhës dhe kulturës italiane në UP, Majlinda Prekazi si dhe studentë e mysafirë nga institucione të tjera të arsimit të lartë, të cilët ndoqën ligjëratën e profesorit Savoia, të njohur për kontributin e tij në studimin e gjuhëve romane dhe dialekteve evropiane.
Pjesëmarrja e ambasadorit italian në Kosovë dhe e prorektores së Universitetit të Prishtinës vuri në pah rëndësinë që të dyja palët i kushtojnë forcimit të marrëdhënieve akademike dhe kulturore ndërmjet Kosovës dhe Italisë./Kosovapress/