ARKEP konfirmon: Ndërrimi i operatorit pa ndryshuar numrin nis të hënën, procedura pa pagesë

Nga dita e hënë, data 5 tetor 2026, në Kosovë nis zbatimi i plotë i bartshmërisë së numrave të telefonisë, duke u mundësuar konsumatorëve të ndërrojnë operatorin mobil pa pasur nevojë të ndryshojnë numrin e telefonit.
Kjo është konfirmuar për Buletinin Ekonomik nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), i cili ka bërë të ditur se aktualisht është në fazën e testimeve të fundit përpara fillimit të zbatimit.
Bartshmëria e numrave nënkupton mundësinë që qytetarët të kalojnë nga një operator te tjetri duke e mbajtur të njëjtin numër telefoni.
Sipas ARKEP-it, procedura pritet të jetë e thjeshtë dhe zakonisht përfundon brenda disa orësh, ndërsa në raste të caktuara mund të zgjasë deri në një ditë. Një nga elementet kryesore të këtij shërbimi është se bartja e numrit do të jetë pa pagesë për konsumatorët.
Kjo do të thotë se pas hyrjes në fuqi të sistemit, një përdorues mund të zgjedhë një operator tjetër bazuar në ofertat, çmimet apo shërbimet që ofron, pa qenë i detyruar të ndryshojë numrin e telefonit.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



