Arlind Kukalaj me sukses akademik dhe profesional në Zvicër

Arlind Kukalaj nga Deçani, i cili jeton dhe punon në Kantonin Basel-Landschaft të Zvicrës, ka shënuar një arritje të rëndësishme akademike, duke përfunduar me sukses studimet Bachelor në Ekonomi të Biznesit (Betriebsökonomie) në FHNW – University of Applied Sciences and Arts Northwestern Switzerland, transmeton albinfo.ch.
Rrugëtimi i tij akademik është shoqëruar paralelisht edhe me angazhimin profesional. Studimet i ka ndjekur në formatin berufsbegleitend, duke i kombinuar me punën e rregullt në sektorin bankar zviceran.
Përgjatë kësaj periudhe, Kukalaj ka arritur të ndërthurë kërkesat e studimeve universitare me përgjegjësitë profesionale, duke krijuar një përvojë ku njohuritë e fituara në auditor janë plotësuar me praktikën në një prej sektorëve të rëndësishëm të ekonomisë zvicerane.
Përfundimi i studimeve në këtë mënyrë ka kërkuar organizim të vazhdueshëm të kohës, përkushtim dhe përshtatje mes angazhimeve akademike dhe profesionale, transmeton tutje albinfo.ch.
Formimi në Ekonomi të Biznesit i ka dhënë atij njohuri në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit, ndërsa përvoja e fituar në sektorin bankar i ka mundësuar që këto njohuri t’i lidhë me praktikën profesionale dhe kërkesat e tregut të punës.
Për Kukalajn, diplomimi përfaqëson një tjetër hap në rrugëtimin e tij profesional në Zvicër, ku vazhdon të jetë i angazhuar në sektorin bankar.
Historia e tij pasqyron një model të ndjekur nga shumë të rinj në diasporë, të cilët zgjedhin t’i vazhdojnë studimet duke punuar paralelisht dhe duke e ndërtuar gradualisht përvojën profesionale krahas formimit akademik.
Nga Deçani në Zvicër, Kukalaj ka ndërtuar kështu një rrugëtim ku arsimi dhe puna janë zhvilluar paralelisht, duke i hapur rrugë hapave të ardhshëm në karrierën e tij në fushën e ekonomisë dhe financave./Albinfo.ch
The post Arlind Kukalaj me sukses akademik dhe profesional në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



