Arratisja e Altin Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i burgut të Durrësit

Pas arratisjes nga spitali e Altin Ndocit është pezulluar zinxhiri komandues i burgut të Durrësit. Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë. Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin […]

Arratisja e Altin Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i burgut të Durrësit

Pas arratisjes nga spitali e Altin Ndocit është pezulluar zinxhiri komandues i burgut të Durrësit. Altin Ndoci, i paraburgosur për një sërë veprash të rënda penale përshpejtoi lirimin e tij këtë të martë.

Ai arriti t’i shpëtojë efektivit që e shoqëronte në spital duke e goditur fizikisht punonjësin e sigurisë së burgut. Ndodhej në katin e tretë të spitalit rajonal të Durrësit, në repartin infektiv ku ndodhet zona e veçantë e sigurisë për të paraburgosurit.

Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.

Por me 2 prill 2024 Gjykata e posaçme ka pushuar të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë.

Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla i cili e përfshinte Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë. Nga ana tjetër për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia , Gjykata e posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën.

Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.

Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Gjithashtu Ndoci,mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.

Në një tjetër episod në shkurt të vitit 2025 I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ka rrëfyer para tagove të zeza disa nga krimet e kryera nga ai dhe banda e një tjetër të arrestuari nga SPAK, Erion Alibejt. Dumani ka thënë se pas masakrës së Bradasheshit, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i Erion Alibejt, grupi kriminal do merrte hak ndaj rivalëve dhe do të vriste në Elbasan “kush t’i dilte përpara”, me porosi të Alibejt. Ky i fundi ka akuzuar edhe Altin Ndocin se kishte qënë në grupin e ekzekutorëve madje kishte tentuar t’i vriste vëllanë, por i ishte bllokuar arma.