Asnjë shqiptar i pranuar në konkursin për policë në Serbi, reagime ndaj diskriminimit

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar rezultatet e fundit të konkursit për pranim në Policinë e Shtetit, ku nga 65 kandidatë të pranuar në komunat me shumicë shqiptare, 43 në Preshevë dhe Bujanoc, si dhe 22 në Medvegjë, asnjëri nuk është shqiptar. Ky përjashtim i plotë i shqiptarëve ka shkaktuar reagime të […] The post Asnjë shqiptar i pranuar në konkursin për policë në Serbi, reagime ndaj diskriminimit appeared first on Albinfo.

Asnjë shqiptar i pranuar në konkursin për policë në Serbi, reagime ndaj diskriminimit

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar rezultatet e fundit të konkursit për pranim në Policinë e Shtetit, ku nga 65 kandidatë të pranuar në komunat me shumicë shqiptare, 43 në Preshevë dhe Bujanoc, si dhe 22 në Medvegjë, asnjëri nuk është shqiptar.

Ky përjashtim i plotë i shqiptarëve ka shkaktuar reagime të ashpra nga përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe nga autoritetet në Kosovë.

Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) e ka cilësuar këtë veprim si një dëshmi të qartë të diskriminimit sistematik nga institucionet serbe. Kryetari i KKSH-së, Enkel Rexhepi, ka thënë se kjo situatë përbën një rikthim në vitin 2001, kur shqiptarët ishin tërësisht të përjashtuar nga strukturat shtetërore, transmeton albinfo.ch.

“Mospërfshirja e asnjë shqiptari në këtë konkurs është shkelje e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe rrezikon seriozisht bashkëjetesën në rajon. Është urgjente të rikthehet programi për krijimin e një policie multietnike, siç parashikohej me Marrëveshjen e Konçulit,” deklaroi Rexhepi, duke paralajmëruar se me daljen në pension të kuadrove ekzistuese, përfaqësimi i shqiptarëve mund të zhduket tërësisht.

Reagim ka pasur edhe nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili e ka cilësuar këtë situatë si pjesë të një procesi të spastrimit etnik që Serbia po e ushtron ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Serbia po ua mohon të gjitha të drejtat elementare shqiptarëve në Luginë. Në Policinë e Kosovës, mbi 10% e forcës policore përbëhet nga komunitetet, e mbi gjysma janë nga komuniteti serb. Ndërsa në Serbi, nga 43 të pranuar në Preshevë e Bujanoc dhe 22 në Medvegjë, asnjë nuk është shqiptar,” shkroi Sveçla në Facebook.

Ai theksoi se qasja e Kosovës është integruese dhe për bashkëjetesë, ndërsa Serbia po ndjek një politikë të kundërt diskriminuese.

“Ky spastrim etnik që Serbia po e zbaton në çdo formë duhet ndalur dhe ndëshkuar menjëherë nga faktori ndërkombëtar,” përfundoi Sveçla.

The post Asnjë shqiptar i pranuar në konkursin për policë në Serbi, reagime ndaj diskriminimit appeared first on Albinfo.