Kabuli mund të bëhet qyteti i parë modern në botë që rrezikon të mbetet pa ujë
Kabul, kryeqyteti i Afganistanit, po përballet me një krizë të thellë uji që rrezikon të bëjë qytetin e parë modern në botë që mbetet plotësisht pa ujë. Sipas një raporti të organizatës Mercy Corps, niveli i ujit në akuiferët e Kabulit është ulur me deri në 30 metra gjatë dekadës së fundit, për shkak të [...]Read More...

Kabul, kryeqyteti i Afganistanit, po përballet me një krizë të thellë uji që rrezikon të bëjë qytetin e parë modern në botë që mbetet plotësisht pa ujë. Sipas një raporti të organizatës Mercy Corps, niveli i ujit në akuiferët e Kabulit është ulur me deri në 30 metra gjatë dekadës së fundit, për shkak të urbanizimit të shpejtë dhe ndryshimeve klimatike. Pothuajse gjysma e puseve të qytetit, burimi kryesor i ujit të pijshëm për banorët, janë tharë. Nxjerrja e ujit tejkalon me 44 milionë metra kub çdo vit ritmin natyral të rigjenerimit të ujit nëntokësor. Nëse ky trend vazhdon, akuiferët e Kabulit pritet të shterojnë plotësisht deri në vitin 2030, duke rrezikuar seriozisht jetën e shtatë milionë banorëve.
Përveç mungesës, raporti nxjerr në pah edhe kontaminimin e ujit si problem të gjerë. Deri në 80% e ujit nëntokësor të Kabulit konsiderohet i pasigurt, për shkak të niveleve të larta të ujërave të zeza, kripësisë dhe arsenikut. Qasja në ujë është bërë një betejë e përditshme për banorët e Kabulit. Disa familje shpenzojnë deri në 30% të të ardhurave të tyre për blerjen e ujit, ndërsa më shumë se dy të tretat kanë borxhe të lidhura me shpenzimet e ujit.
Një mësuese në lagjen Khair Khana, Nazifa, tha: “Çdo familje po përballet me vështirësi, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta.” Në këtë krizë po përfitojnë edhe disa kompani private që po hapin puse të reja dhe nxjerrin sasi të mëdha uji nga burimet publike për ta shitur më pas në qytet me çmime të larta. “Më parë paguanim 500 afganë (rreth 5.30 paund) çdo 10 ditë për ujë nga kamionët cisternë. Tani po paguajmë 1,000 afganë për të njëjtën sasi uji,” tha Nazifa, duke shtuar se situata po përkeqësohet çdo javë.
Rritja e popullsisë së Kabulit me shtatë herë që nga viti 2001, kur qyteti kishte më pak se 1 milion banorë, ka rritur ndjeshëm kërkesën për ujë. Mungesa e një qeverisjeje dhe rregulloreje qendrore ka thelluar problemin gjatë dekadave. Dayne Curry theksoi se ndihmat e shkurtra nuk janë zgjidhje. “Mund të hedhim miliona dollarë për zgjidhje afatshkurtra, por nevoja do të vazhdojë pa investime afatgjata. Qeveritë e huaja po ndalen për shkak të dinamikave politike.” Ndërsa Nazifa u shpreh me zemërim: “Uji është një të drejtë njerëzore dhe pasuri natyrore e Afganistanit, jo një çështje politike. Më dhemb zemra kur shoh lule dhe pemë frutore që po thahen. Por çfarë mund të bëjmë? Jemi në një shtet ushtarak dhe nuk mund të ankohemi te qeveria.”
Një prej projekteve që mund të ndihmojë është tubacioni i lumit Panjshir, i cili do të zvogëlojë varësinë e qytetit nga ujërat nëntokësore dhe do të furnizojë 2 milion banorë me ujë të pijshëm. Faza e projektimit përfundoi në fund të vitit 2024 dhe pritet miratimi i buxhetit, ndërsa qeveria po kërkon investitorë për të mbuluar koston prej 170 milionë dollarësh. Dr. Najibullah Sadid, kërkues i lartë në menaxhimin e burimeve ujore, paralajmëroi: “Nuk kemi kohë për të pritur buxhete. Jemi në një stuhi nga e cila nuk ka kthim nëse nuk veprojmë menjëherë. Ata në Kabul po përballen me zgjedhjen mes ushqimit dhe ujit. Megjithatë, njerëzit janë gati të investojnë edhe ato pak që kanë për një zgjidhje të qëndrueshme. Çdo projekt që sjell ndryshimin më të shpejtë është prioritet. Duhet thjesht të fillojmë.” / abcnews.al