Bashkim Murtezi dorëhiqet nga të gjitha funksionet partiake në VLEN: Tërhiqem nga angazhimi politik

Bashkim Murtezi dorëhiqet nga të gjitha funksionet partiake në VLEN: Tërhiqem nga angazhimi politik

Përgjegjësi i Komisionit Kadrovik dhe anëtari i Kuvendit Qendror të koalicionit VLEN, Bashkim Murtezi, ka njoftuar zyrtarisht të tërheqjen e tij nga të gjitha funksionet partiake dhe nga angazhimi aktiv politik.

Në një letër reflektimi drejtuar strukturave drejtuese dhe anëtarësisë, Murtezi ka përmbledhur pesë vitet e rrugëtimit të tij politik — nga koha si sekretar organizativ i Alternativës e deri te udhëheqja e proceseve kyçe organizative dhe kadrovike brenda koalicionit VLEN.

Ai ka theksuar se ky vendim vjen si një përmbyllje e natyrshme e një misioni të kryer me përkushtim, duke liruar hapësirë për energji dhe gjenerata të ja në politikë.

JA POSTIMI I PLOTË:

“Ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të luftuar dhe një kohë për t’u ndalur e për ta falënderuar Zotin për atë që është bërë me qëllim të mirë”.

NJË REFLEKTIM PAS NJË RRUGËTIMI ME PËRGJEGJËSI DHE PËRKUSHTIM

Të nderuar bashkëkryetarë, i nderuari sekretar i përgjithshëm, të nderuar nënkryetarë,

Më lejoni t’ju njoftoj se prej sot, 24.07.2026, kam vendosur të tërhiqem nga detyra ime si përgjegjës i Komisionit Kadrovik, anëtarit të Kuvendit Qëndror të VLEN-it, por edhe nga angazhimi im politik.

Pesë vite më parë hyra aktivisht në politikë me bindjen e pastër se ndryshimi është i mundur dhe se një shpresë e re mund të ndërtohet mbi padrejtësitë e së kaluarës. Besova se ndryshimi nuk duhej pritur, por duhej ndërtuar. E nisa këtë rrugëtim me bindjen se çdo brez meriton një të ardhme më të drejtë e më dinjitoze dhe se secili prej nesh ka përgjegjësi ndaj saj. Përpiqesha çdo ditë të veproj me drejtësi, me moral dhe me ndërgjegje të pastër. Sot, me përulësi dhe qetësi shpirtërore, besoj se një pjesë e madhe dhe e rëndësishme të atij misioni është përmbushur.
Siç e dini ju të gjithë, që në ditën e parë të angazhimit tim politik e kam bërë të qartë – nuk do të kërkoj dhe nuk do të pranoj punësime, poste apo funksione ekzekutive. Sepse për mua politika është shërbesë, e jo karrierë. Vlera e një ideali nuk matet me tituj apo zyra, por me dashurinë, përkushtimin dhe sakrificën që u japim njerëzve dhe kauzës që na bashkon.
Kam besuar gjithmonë se forca e një njeriu në politikë nuk matet me pushtetin që mban në duar, por me përulësinë me të cilën shërben.
Sot, pas pesë vitesh të mbushura me përpjekje, beteja, sfida dhe kujtime të thella, ndjej se ka ardhur koha të vendos një pikë në këtë kapitull të jetës sime politike. Jo si një largim nga ideali, por si një përmbyllje e një misioni që e kam marrë me përgjegjësi dhe përkushtim.
Megjithatë më duhet të theksoj se në këtë rrugëtim nuk kam ecur vetëm. Kam pasur pranë njerëz me zemër, me besim dhe me përkushtim. Kam parë sy që besuan, duar që punuan dhe zemra që nuk u dorëzuan. Kam qenë me ju në orët e vona të punës, në betejat e vështira, në momentet e pasigurta, por edhe në gëzimet e fitoreve të përbashkëta.
Si sekretar organizativ i Alternativës, më pas si pjesë e shtabit të VLEN-it në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, si dhe në fund si përgjegjës i Komisionit Kadrovik të koalicionit VLEN, pata privilegjin të jem pranë njerëzve tanë, pranë anëtarëve dhe aktivistëve tanë. Aty mësova një të vërtetë të madhe: forca e vërtetë e një subjekti politik nuk është në zyrat e tij, por në shpirtin e njerëzve që e mbajnë gjallë. Në periudhat kur shumëkush e parashikonte dobësimin apo fundin tonë politik, bashkë me njerëz të palëkundur arritëm ta ruajmë organizimin dhe ta mbajmë gjallë frymën që na bashkoi. Isha pjesë e idesë së parë për krijimin e opozitës së bashkuar – një vizion që më vonë u bë realitet me krijimin e koalicionit VLEN. Nga dita e parë e kësaj ideje, deri në çdo proces të këtij bashkimi, isha aty – me mendje, me punë dhe me përgjegjësi. Në negociatat për formimin e qeverisë së re, isha ndër ata që e bartën përgjegjësinë për ta ruajtur barazinë dhe dinjitetin e përfaqësimit të shqiptarëve. Në çdo diskutim dhe në çdo marrëveshje, qëllimi ynë ishte i qartë: të mbrohej ajo që na takon me drejtësi dhe të respektohej kontributi i qytetarëve dhe i subjekteve tona.
Si kryetar i Komisionit Kadrovik të koalicionit VLEN, punova me ndershmëri dhe përgjegjësi që ky ekuilibër të mbetej realitet. Ky angazhim solli mbi 2400 punësime dhe qindra avancime, duke bërë që përfaqësimi i shqiptarëve dhe i subjekteve tona të ishte i drejtë në çdo nivel të qeverisjes. Jam shumë i vetëdijshëm se çdo sukses nuk është fryt i një individi. Çdo arritje është rezultat i një ekipi, i një besimi dhe i një qëllimi të përbashkët. Prandaj, çdo meritë e ndaj me secilin bashkëveprimtar në VLEN, me ata që qëndruan në radhë me bindje dhe përkushtim.
Ka një kohë për të ndërtuar, një kohë për të luftuar dhe një kohë për t’u ndalur e për ta falënderuar Zotin për atë që është bërë me qëllim të mirë. Gjithsesi është edhe një kohë kur njeriu duhet t’i thotë vetes së është koha për ta liruar rrugën për dikë tjetër. Besoj se kontributi im e ka përmbushur ciklin e vet dhe se rrugëtimi i VLEN-it duhet të vazhdojë me energji të reja dhe me përgjegjësi të reja.
Sigurisht, ajo që do të më mungojë më shumë jeni ju. Ju, aktivistët e devotshëm të VLEN-it, që keni dalë në çdo mot, në çdo rrugë dhe në çdo takim. Ju që keni lënë familjet tuaja për një ideal. Ju me të cilët kemi ndarë kafen e mëngjesit, lodhjen e natës dhe emocionet e çdo beteje. Këto nuk janë vetëm kujtime. Janë pjesë e shpirtit tim dhe do t’i mbaj me vete përherë.
E di se askush nuk është i përsosur. Mund të ketë pasur vendime që nuk kanë qenë gjithmonë të drejta, pritshmëri që nuk janë përmbushur ose gabime njerëzore. Për çdo rast të tillë kërkoj falje me sinqeritet dhe përulësi. Sepse në fund të fundit, paqja me veten dhe respekti ndaj njerëzve me të cilët ke ecur janë pasuria më e madhe. Të gjithë jemi njerëz që mësojmë duke gabuar, por edhe rritemi duke falur.
Unë e falënderoj secilin prej jush në VLEN për besimin, për mbështetjen dhe për çdo dorë të shtrirë në ditët e vështira.
Unë largohem nga pozitat, por jo nga dashuria dhe përkushtimi ndaj idealit që na bashkoi. Idealet nuk kanë nevojë për tituj. Ato jetojnë në njerëzit që besojnë në to dhe në gjurmët që lënë pas. Çdo sfidë, çdo fitore dhe çdo lidhje njerëzore e këtij rrugëtimi – qoftë në Alternativë më parë ose tash në VLEN – do të mbetet pjesë e shpirtit tim.
Po largohem duke qenë i përmbushur shpirtërisht, andaj uroj që suksesi i shqiptarëve dhe VLEN-it të vazhdojë, që çdo qëllim i tij të realizohet dhe që kjo frymë e bashkëpunimit të ruhet.
Pavarësisht se fizikisht nuk do të jem brenda, unë do të jem gjithmonë pranë, i gatshëm ta ngre zërin kur të ndjej se rruga largohet nga parimet tona, për ta ruajtur drejtësinë, shpresën dhe frymën që e kemi ndërtuar së bashku.
Mesazhi im i fundit është i thjeshtë: edhe në politikë duhet të ruajmë njerëzoren. Besimi, respekti dhe aftësia për të dëgjuar tjetrin janë më të vlefshme se çdo post apo funksion. Morali politik nuk është një parim abstrakt. Ai është udhërrëfyesi i çdo vendimi dhe i çdo veprimi. Kur humbasim moralin, humbasim edhe besimin e njerëzve. Politika pa shpirt dhe pa ideale mbetet vetëm zhurmë dhe boshllëk.
Tani është koha që brezat e rinj, ata që vijnë pas nesh, ta vazhdojnë këtë rrugë me energji, idealizëm dhe dashuri të re.

Me respekt, dashuri, falënderim dhe paqe të thellë në shpirt!


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.