BE-ja pritet të lejojë kamionët e mëdhenj, 51% e zviceranëve kundër

Bashkimi Evropian pritet së shpejti të japë dritën jeshile për përdorimin e kamionëve gjigantë të njohur si gigaliner, me gjatësi mbi 25 metra dhe kapacitet transporti deri në 60 tonë mallra. Këto automjete të mëdha tashmë janë në përdorim në disa vende të BE-së, dhe Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për lejimin e tyre në […] The post BE-ja pritet të lejojë kamionët e mëdhenj, 51% e zviceranëve kundër appeared first on Albinfo.

BE-ja pritet të lejojë kamionët e mëdhenj, 51% e zviceranëve kundër

Bashkimi Evropian pritet së shpejti të japë dritën jeshile për përdorimin e kamionëve gjigantë të njohur si gigaliner, me gjatësi mbi 25 metra dhe kapacitet transporti deri në 60 tonë mallra. Këto automjete të mëdha tashmë janë në përdorim në disa vende të BE-së, dhe Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për lejimin e tyre në rrugët evropiane. Megjithatë, vendimi final mbetet në duart e ministrave të transportit të BE-së, shkruan Blick, përcjell albinfo.ch.

Në Zvicër, lajmi ka shkaktuar reagime të forta dhe polemika të shumta. Aktualisht, në vend lejohet përdorimi i kamionëve deri në 40 tonë dhe me një gjatësi maksimale prej 18.75 metrash. Zgjerimi i kufijve për të përfshirë gigalinerët ka hasur rezistencë të gjerë, jo vetëm nga kantonet dhe organizatat mjedisore, por edhe nga Shoqata Zvicerane e Automjeteve Tregtare (ASTAG).

Sipas një sondazhi të realizuar nga Blick në bashkëpunim me institutet e kërkimit të opinionit Sotomo, 51 për qind e të anketuarve shprehen qartë kundër lejimit të gigalinerëve për kalim tranzit në Zvicër nëse janë të regjistruar në BE. Edhe 16 për qind të tjerë janë “më tepër jo”, duke reflektuar një klimë të përgjithshme refuzuese ndaj këtyre mjeteve.

Refuzimi është i përhapur në të gjitha partitë politike: 64% e të Gjelbërve, 54% e SVP-së dhe 53% e PS-së janë kundër. Edhe tek votuesit e FDP-së, që tradicionalisht janë më të hapur ndaj inovacioneve në transport, 37% janë kundër dhe 18% të tjerë “më tepër jo”, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë që mbështetësit e gigalinerëve theksojnë potencialin e tyre për të reduktuar ndotjen duke transportuar më shumë mallra me më pak udhëtime dhe për të ndihmuar në përballimin e mungesës së shoferëve profesionistë, organizata Pro Alps paralajmëron për pasoja negative. Ajo argumenton se lejimi i gigalinerëve do të rrezikonte transferimin e transportit transalpin në hekurudhë – një objektiv për të cilin Zvicra ka investuar miliarda përmes projektit NRLA.

Një raport i mëhershëm nga Zyra Federale e Rrugëve, i cili daton afro 15 vite më parë, paralajmëron se rruga veri-jug nuk është ende gati për gigalinerët. Përmirësimet e nevojshme në infrastrukturë – përfshirë ura, stacione doganore dhe zona pushimi – mund të kushtojnë rreth 75 milionë franga zvicerane. Megjithatë, vullneti politik për këtë lloj investimi është i ulët, transmeton albinfo.ch.

Këshilltari Kombëtar i SVP-së, Benjamin Giezendanner, u shpreh se “pas refuzimit të zgjerimit të autostradës, aktualisht ka mungesë vullneti për të shpenzuar para të tilla.” Ai shtoi se, duke marrë parasysh presionin e marrëveshjeve kuadër me BE-në, zbatimi i detyrueshëm i Direktives për gigalinerët është vetëm çështje kohe.

Ndërkohë, Kantoni i Gjenevës ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa përmes një nisme kantonale për të ndaluar përdorimin e këtyre kamionëve, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet nga Këshilli Kombëtar në një seancë të ardhshme.

Zhvillimet e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e gigalinerëve në Zvicër – një temë që po kthehet në një nga debatet më të nxehta në fushën e transportit dhe mjedisit, transmeton albinfo.ch.

The post BE-ja pritet të lejojë kamionët e mëdhenj, 51% e zviceranëve kundër appeared first on Albinfo.