Berisha pensionohet nga Kosova

Në kuadër të ndeshjes së Kosovës, sonte do të organizohet një ceremoni përshëndetëse për Berishën, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj fanellës dardane.
“Sonte, një moment i veçantë për një nga Dardanët që la gjurmë! Në kuadër të ndeshjes së Kombëtares së Kosovës, do të organizohet ceremonia përshëndetëse për Valon Berishën, në shenjë mirënjohjeje për kontributin, përkushtimin dhe emocionet që i dhuroi fanellës së Kosovës. Faleminderit për gjithçka, Valon!”, ka shkruar Federata e Futbollit e Kosovës.
Berisha i ka luajtur pesëdhjetë e dy ndeshje me Kosovën që nga viti 2016, kur e ka zgjedhur përfaqësuesen dardane pas paraqitjeve me Norvegjinë, transmeton albinfo.ch.
Ai ka zhvilluar njëzet ndeshje me Norvegjinë, ndërsa paraqitjen e fundit për këtë përfaqësuese e ka bërë më 5 qershor 2016, në ndeshjen kundër Belgjikës.
Debutimin me Kosovën e ka bërë më 5 shtator 2016, në ndeshjen ndaj Finlandës, e cila ka përfunduar 1:1.
Në atë takim, Berisha ka shënuar edhe golin e parë të Kosovës në një ndeshje kualifikuese, duke realizuar njëkohësisht golin e tij të parë me fanellën e Kosovës. Një moment tjetër i madh i Berishës ka qenë dygolëshi ndaj Anglisë në humbjen e Kosovës 5-3 nga kombëtarja angleze.
Berisha e ka përshkruar me emocione kohën e kaluar te Kosova. “Kosova është e vogël, por zemrën e ka të madhe”, ka thënë ai.
The post Berisha pensionohet nga Kosova appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



