Cakolli: Ligji për Specialen mund të shqyrtohet në Kuvend pas opinionit të Qeverisë, por 6 tetori e bën të vështirë finalizimin

Cakolli: Ligji për Specialen mund të shqyrtohet në Kuvend pas opinionit të Qeverisë, por 6 tetori e bën të vështirë finalizimin

Një ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi opinionin lidhur me iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, Eugen Cakollit nga KDI, thotë se koha e mbetur deri më 6 tetor e bën shumë të vështirë përmbylljen e procedurës para këtij afati.

Cakolli ka renditur afatet dhe procedurat që, sipas tij, duhet të ndiqen nga Kuvendi.

Ai thotë se, pasi materialet e plota të projektligjit u janë shpërndarë deputetëve më 3 tetor, Komisioni për Legjislacion mund ta shqyrtojë atë në parim, ndërsa më pas projektligji duhet të kalojë në seancë plenare.

“Për shqyrtim të përshpejtuar kërkohet kërkesë e së paku 30 deputetëve ose e Qeverisë, ndërsa shmangia nga afatet procedurale mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të miratohet me dy të tretat e deputetëve të pranishëm”, thotë ai.

Sipas Cakollit, edhe në procedurë të përshpejtuar duhet të respektohen afate minimale: së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri në shqyrtimin e parë dhe 72 orë nga miratimi në parim deri në shqyrtimin e dytë. Në këtë skenar, shqyrtimi i parë në seancë do të mund të bëhej më së herëti më 5 tetor, ndërsa shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar jo më herët se 8 tetori.

Cakolli rikujton gjithashtu se, pas miratimit, ligji duhet t’i dërgohet Presidentit për shpallje dhe se hyrja në fuqi kërkon përmbushjen e afateve të tjera ligjore. Ai thekson se edhe nëse miratohen afate më të shkurtra, ligji gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë ndryshe.

Sipas tij, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen ashtu edhe për procedurën e ndjekur. Në një rast të tillë, shpallja e ligjit pret vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Postimi i tij i plotë:

Me opinionin që Qeveria e dha mbrëmë për projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shqyrtimi i tij tash mund të vazhdojë në Kuvend. Sidoqoftë, koha e mbetur deri më 6 tetor për çështjen e Presidentit e bën përmbylljen e procedurës për këtë projektligj shumë të vështirë brenda afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.
Qeveria kishte afat deri në 30 ditë nga pranimi i projektligjit për ta dhënë mendimin. Megjithatë, duke qenë se ndryshimet po kërkohet që të miratohen para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, dorëzimi i mendimit tek mbrëmë e ka ngushtuar ndjeshëm hapësirën kohore për shqyrtim dhe miratim, brenda afateve që përcakton Rregullorja.

Procedura e zakonshme legjislative shtrihet në disa javë. Prandaj, për një shqyrtim më të shpejtë, Kuvendi ka në dispozicion mekanizmat e përshpejtimit dhe të shkurtimit të afateve procedurale.

Meqenëse materialet e plota të projektligjit u shpërndahen deputetëve sot, më 3 tetor, afatet dhe procedurat që parasheh Rregullorja janë:

1. Komisioni për Legjislacion, pasi të ngarkohet nga Kryetarja e Kuvendit si komision përgjegjës, mund ta shqyrtojë projektligjin në parim qysh sot, duke zbatuar përjashtimin që Rregullorja lejon për thirrjen e mbledhjeve në raste të veçanta. Për mbledhje duhet të jetë e pranishme shumica e anëtarëve të komisionit, ndërsa rekomandimi për votim në parim miratohet me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim. Komisioni pastaj ia dërgon Kuvendit rekomandimin për miratim ose mosmiratim.

2. Mund të thirret seancë e rregullt plenare, ose seancë e jashtëzakonshme me kërkesë të 40 deputetëve. Për rrugën e rregullt, mbledhja e Kryesisë, si rregull, mbahet jo më herët se 48 orë nga njoftimi, ndërsa rendi i ditës dhe materialet për seancën plenare duhet t’u shpërndahen deputetëve së paku dy ditë pune përpara.

3. Për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, nevojitet kërkesë e së paku 30 deputetëve ose e Qeverisë, drejtuar Kryetares së Kuvendit. Kjo procedurë zbatohet për projektligje që lidhen me sigurinë kombëtare, shëndetin publik apo çështjet buxhetore e financiare. Ndërsa shmangia nga afatet procedurale, mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të aprovohet nga 2/3 e deputetëve të pranishëm, jo medoemos nga 80 deputetë.

4. Sidoqodtë, edhe procedurat e përshpejtuara kanë afate minimale dhe duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Duhet të kalojnë së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë dhe pastaj së paku 72 orë nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë. Pra, gjithsej së paku pesë ditë.
Madje, duhet rikujtuar që Kushtetuesja ka shfuqizuar vendime pikërisht për shmangie dhe miratim ligjesh kur shkurtimi i afateve ua kishte pamundësuar deputetëve dhe komisioneve shqyrtimin përmbajtësor.

5. Nëse materialet tashmë veçse janë shpërndarë dhe Komisioni për Legjislacion do ta aprovojë projektligjin, shqyrtimi i tij i parë në seancë mund të të mbahet më së herëti të hënën, më 5 tetor.

6. Pas miratimit në parim, projektligji kthehet në komision për shqyrtimin e dispozitave dhe amendamenteve eventuale, si dhe për shqyrtim nga komisionet e përhershme. Duke respektuar minimumin prej 72 orësh të kësaj procedure, shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar mund të bëhen më së herëti më 8 tetor.

7. Pas miratimit, ligji i dërgohet Presidentit për shpallje jo më herët se tetë ditë nga miratimi. Presidenti ka pastaj deri në tetë ditë për ta shpallur ose kthyer atë. Nëse nuk vepron brenda këtij afati, përfshirë edhe rrethanën e shkuarjes potenciale në zgjedhje të reja, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekretim dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Ligjet hyjnë në fuqi zakonisht 15 ditë pas publikimit.

8. Edhe nëse miratohet me afate më të shkurtra sesa që lejon Rregullorja, ligji gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë, derisa gjykata kushtetuese të konstatojë të kundërtën. Për këtë, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur. Nëse kontestohet përmes kësaj procedure, shpallja e ligjit pret vendimin përfundimtar të gjykatës.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.