FC Dardania Basel, ura lidhëse mes mërgatës dhe vendlindjes

Kryeministri ka pritur në Zyrën e Kryeministrit një delegacion të FC Dardania Basel, klub i themeluar në vitin 1993 nga bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.
Rajoni i Baselit ka qenë për dekada një nga qendrat e rëndësishme të migrimit të punës në Zvicër. Që në vitin 1999, shqiptarët përbënin një nga komunitetet më të mëdha të huaja në këtë rajon. Sot, në të gjithë Zvicrën jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë dhe zviceranë me prejardhje shqiptare, të cilët kontribuojnë në jetën kulturore dhe ekonomike të vendit.
Prania dhe kontributi i komunitetit shqiptar vërehen edhe në futboll. Shumë futbollistë me prejardhje shqiptare kanë përfaqësuar Zvicrën, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të luajnë për Shqipërinë. Një pjesë e tyre e kanë nisur rrugëtimin në klube të vogla, duke ndërtuar ëndrrat e tyre në fushat e lagjeve.
Në këtë drejtim, klube si FC Dardania Basel kanë një rol të rëndësishëm, duke u ofruar të rinjve mundësi të zhvillojnë aftësitë sportive, të mësojnë disiplinën dhe punën në ekip, si dhe të ruajnë lidhjet me prejardhjen e tyre shqiptare.
Ndërkaq, sot pasdite, FC Dardania Basel do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër KFV Lipjan. Përballja bashkon një skuadër të mërgatës me një ekip nga vendlindja, duke e kthyer futbollin në një mundësi për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve në diasporë dhe atyre në Kosovë.
Siç theksohet në mesazhin e publikuar, në këtë përballje rëndësi të veçantë ka jo vetëm sporti, por edhe lidhja që bashkon mërgatën me vendlindjen./Albinfo.ch.
The post FC Dardania Basel, ura lidhëse mes mërgatës dhe vendlindjes appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



