Dëbimi i mbi 862 mijë shqiptarëve gjatë luftës – sot pritet seanca ndaj 21 të akuzuarve

Dëbimi i mbi 862 mijë shqiptarëve gjatë luftës – sot pritet seanca ndaj 21 të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve, të cilët Prokuroria Speciale i ngarkon me veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”, lidhur me dëbimin e qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, gjatë periudhës janar–qershor 1999, kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit, përmes raporteve operative, komunikimeve të brendshme dhe pranisë në terren, kanë qenë në dijeni për veprimet e kryera nga forcat nën komandën ose kontrollin e tyre.

Në aktakuzë përmenden shkatërrimi i pronës, djegia e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekja dhe ndalimi arbitrar i personave mbi baza etnike, si dhe sulmet e armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me shqiptarë.

Sipas Prokurorisë, këto veprime kanë rezultuar në organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë, me qëllim dëbimin e tyre nga Kosova drejt kufijve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e atëhershme.

Aktakuza i referohet një shifre prej 862 mijë e 979 civilësh shqiptarë të dëbuar gjatë kësaj periudhe.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të pandehurit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme, brenda kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, për të parandaluar këto veprime, për t’i penguar autorët ose për t’i raportuar veprat e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse.

Gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, ndërsa përgjegjësia penale e tyre do të përcaktohet nga gjykata në bazë të provave dhe procedurave gjyqësore.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.