Dogana zvicerane sekuestron dy monedha të dyshuara si të falsifikuara

Një dërgesë e vogël postare nga Hong Kongu ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të doganës në qendrën postare Zurich-Mülligen, pasi brenda saj u gjetën dy monedha zvicerane pesëfrangëshe të vitit 1928, transmeton albinfo.ch.
Monedhat, të cilat kanë vlerë të konsiderueshme për koleksionistët, u kontrolluan më nga afër nga zyrtarët më 17 gusht. Gjatë inspektimit, ata konstatuan disa veçori që ngritën dyshime se bëhej fjalë për monedha të falsifikuara.
Sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (BAZG), diametri i dy monedhave përputhej me atë të monedhave origjinale. Megjithatë, gjatë kontrollit u konstatuan devijime të konsiderueshme në peshë.
Këto dallime bënë që zyrtarët të dyshonin për autenticitetin e monedhave dhe të ndërmerrnin masa të mëtejshme.
Dy monedhat e dyshuara si të falsifikuara, së bashku me rastin, i janë dorëzuar policisë kantonale të Aargaut, e cila do të zhvillojë hetimet e mëtejshme.
Dërgesa postare ishte adresuar te një marrës në kantonin e Aargaut, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë origjinën dhe qëllimin e monedhave të dyshuara. /Albinfo.ch
The post Dogana zvicerane sekuestron dy monedha të dyshuara si të falsifikuara appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



