Edona Elshan: Një udhëtim akademik nga Zvicra në Holandë
Edona punon si asistente profesore në KIN Center for Digital Innovation në Universitetin VU Amsterdam The post Edona Elshan: Një udhëtim akademik nga Zvicra në Holandë appeared first on Albinfo.

Edona Elshan është një emër në rritje në fushën e inovacionit digjital dhe inteligjencës artificiale. E lindur dhe rritur në Wolfhausen, Zvicër, ajo ka ndjekur një rrugëtim akademik dhe profesional mbresëlënës, duke u bërë asistente profesore në KIN Center for Digital Innovation në Universitetin VU Amsterdam. Me një sfond të fortë në informatikë ekonomike dhe një përvojë të pasur në kërkime shkencore, ajo synon të kontribuojë në avancimin e teknologjisë dhe të ndihmojë organizatat të përshtaten me transformimin digjital.
Edona ka studiuar në Universitetin e St. Gallen-it, ku ka përfunduar studimet e saj të avancuara në informatikë ekonomike. Ajo ka punuar si hulumtuese, duke marrë pjesë në projekte ndërkombëtare dhe duke krijuar një bazë të fortë akademike.
“Në fillimet e karrierës sime, kam pasur mundësinë të ndërtoj një rrjet ndërkombëtar dhe të bashkëpunoj në projekte ndërdisiplinore. Mbështetja dhe besimi i mbikëqyrësit tim, Jan Marco Leimeister, më mundësoi të marr përgjegjësi të rëndësishme, si mësimdhënia dhe menaxhimi i projekteve, që në fillimet e karrierës sime”, tregon ajo.
Nga Zvicra në Holandë, një hap i ri në karrierën e Edonës
Pas një eksperience të suksesshme në Zvicër, Edona vendosi të shkojë në Holandë për të vazhduar rrugëtimin e saj akademik dhe kërkimor në KIN Center for Digital Innovation në VU Amsterdam. Kalimi në Holandë, tregon Edona, i mundësoi asaj të eksplorojë mënyra të reja të organizimit të kërkimit dhe të zgjerojë perspektivën profesionale.
“Si Asistente Profesore (shkalla a pare si profesore), kam disa përgjegjësi kryesore: jap mësim, mbikëqyr doktorantët dhe ndjek projekte të mia kërkimore. Në mësimdhënie, përpiqem të lidh konceptet teorike me aplikimin praktik, duke u fokusuar te përgatitja e studentëve për sfidat reale. Gjithashtu, luaj një rol mentorimi për doktorantët, duke i ndihmuar të navigojnë karrierën e tyre akademike”, sqaron ajo.
Fokusimi në Inteligjencën Artificiale dhe transformimin digjital
Në rolin e saj aktual, Edona merret me kërkime që lidhen me integrimin e inteligjencës artificiale në procese organizative dhe ndikimin e saj në transformimin digjital. Ajo ka zhvilluar modele për të ndihmuar organizatat të vlerësojnë ndikimin e teknologjive të reja dhe të përshtaten me ndryshimet e shpejta.
“Aktualisht, jam duke punuar në një projekt që eksploron integrimin e teknologjive të reja, si inteligjenca artificiale dhe mjetet low-code, në proceset organizative, me fokus të veçantë te aspektet e sigurisë dhe qëndrueshmërisë. Ky projekt synon të adresojë sfidat që lidhen me adoptimin e teknologjive nga përdorues jo-ekspertë, duke zhvilluar korniza që ndihmojnë organizatat të balancojnë inovacionin me mbrojtjen ndaj rreziqeve të sigurisë. Gjithashtu, projekti trajton mënyrat se si organizatat mund të ndërtojnë besim midis ekipeve njerëzore dhe AI, duke krijuar një ekosistem digjital që është i sigurt dhe i besueshëm”, sqaron tutje Edona.
Ajo është e bindur se këto zhvillime do të kenë një ndikim të madh në mënyrën se si funksionojnë bizneset dhe institucionet.
Lidhja me Kosovën dhe diasporën
Edona ka një lidhje të fortë me Kosovën dhe e sheh diasporën si një faktor kyç për zhvillimin teknologjik të vendit. Ajo tani po punon për të dorëzuar një propozim projekti së bashku me një institucion në Kosovë, i cili fokusohet te përdorimi i platformave loë-code dhe fuqizimi i individëve jo-ekspertë për të udhëhequr transformimin digjital.
“Ky projekt synon të sjellë teknologjinë më afër përdoruesve dhe të mbështesë organizatat që të krijojnë zgjidhje inovative përmes fuqisë së teknologjive të lehta për t’u përdorur”, thotë Edona.
Kur flet për Kosovën, Edona shprehet pozitive në zhvillimin e shpejtë që ka ndodhur në fushën e inovacionit digjital. Ajo thotë se shpesh ndjehet e surprizuar nga shpirti sipërmarrës dhe teknologjitë inovative që po zhvillohen nga Start-Upet lokale.
“Në anën institucionale, janë bërë hapa përpara, si për shembull mundësia për të paguar faturat e energjisë elektrike dhe të ujit online nga diaspora, që tregon për një qasje progresive në dixhitalizimin e shërbimeve publike. Në aspektin e edukimit, ka një nevojë për ta integruar teknologjinë më shumë në kurrikulat e shkollave publike. Aktualisht, shumë nga këto aftësi dhe njohuri po zhvillohen përmes kurseve private, dhe një përqasje e integruar në arsimin publik do të ishte një hap i rëndësishëm. Do të ishte një nder për mua që një ditë të ndihmoj në zhvillimin e një kurrikule gjithëpërfshirëse që i përgatit të rinjtë për kërkesat e epokës digjitale”, shprehet ajo.
Mos e humbni kurrë kureshtjen!
Edona ka një mesazh për të rinjtë që duan të merren me Inovacionin Digjital. “Mos e humbni kurrë kureshtjen! Jetojmë në një botë që lëviz me një ritëm shumë të shpejtë, dhe është thelbësore të qëndrojmë në hap me zhvillimet më të fundit. Edhe pasi të keni përfunduar masterin, gjithmonë do të ketë gjëra të reja për të mësuar dhe për të eksploruar. Mbajeni mendjen të hapur dhe të gatshme për sfida të reja, sepse teknologjia nuk ndalet kurrë së evoluari”, thotë ajo.
The post Edona Elshan: Një udhëtim akademik nga Zvicra në Holandë appeared first on Albinfo.