Vula e Ekselencës: Si një diplomë nga Kosova bëhet licencë për auditim në Zvicër

Vula e Ekselencës: Si një diplomë nga Kosova bëhet licencë për auditim në Zvicër

Vula e Ekselencës: Si një diplomë nga Kosova bëhet licencë për auditim në Zvicër

Pasi përfundoi me sukses procesin kompleks të njohjes së diplomës dhe licencimit si auditor i pasqyrave financiare në Zvicër, Jeton Zena rrëfen për albinfo.ch sfidat, sakrificat dhe hapat strategjikë që e çuan drejt ushtrimit të profesionit në një prej sistemeve më rigoroze financiare në Evropë. Përmes kësaj interviste, ai ndan përvojën e tij të çmuar, këshilla praktike dhe një mesazh të fuqishëm motivimi për të gjithë profesionistët shqiptarë që synojnë tregun zviceran të punës.

Njohja e kualifikimeve akademike dhe licencimi profesional mbeten ndër sfidat kryesore për diasporën shqiptare me formim universitar në Kosovë dhe rajon. Në profesione të rregulluara si auditimi, njohja e diplomës është vetëm hapi i parë. Ushtrimi i profesionit kërkon plotësimin e standardeve ligjore, profesionale dhe gjuhësore të sistemit zviceran. Përvoja e Jeton Zenës dëshmon se ky proces, sado kërkues, është i përballueshëm me përgatitje të mirë dhe përkushtim.

Intervista

albinfo.ch: Çfarë përfaqëson ky licencim për karrierën tuaj dhe si lindi ky synim?

Jeton Zena: Ky rezultat është një dëshmi e faktit se formimi profesional në Kosovë ka kapacitet të plotë për të përmbushur standardet e një sistemi jashtëzakonisht rigoroz si ai zviceran. Më shumë se një arritje personale, unë e shoh këtë si një mesazh motivues për kolegët dhe profesionistët shqiptarë: me përkushtimin e duhur, barrierat institucionale janë të kapërcyeshme. Edhe pse isha i vetëdijshëm që diplomat tona nuk njihen automatikisht, vendosa të ndjek rrugën ligjore dhe institucionale. Sot, ky rezultat konfirmon se informimi i saktë dhe këmbëngulja shpërblehen gjithmonë.

albinfo.ch: Çfarë ju motivei të vazhdonit dhe si funksionoi konkretisht procesi administrativ?

Jeton Zena: Mbi 15 vite përvojë solide në financa dhe auditim, si dhe investimi im i vazhdueshëm në arsimim, më jepnin bindjen se kualifikimi im kishte vlerë reale edhe për tregun zviceran. Procesi nisi me analizimin e sistemit zviceran, ku kuptova dallimin mes profesioneve të rregulluara dhe atyre të parregulluara. Fillimisht, diploma universitare u validua nga autoritetet federale. Megjithatë, për licencën e auditorit, kjo nuk mjaftonte; m’u desh të kaloja pesë provime shtesë, të fokusuara në legjislacionin, të drejtën tregtare dhe rregulloret financiare zvicerane.

albinfo.ch: Sa kohë zgjati ky rrugëtim dhe cilat ishin sfidat më të mëdha gjatë tre viteve?

Jeton Zena: I gjithë procesi zgjati rreth tre vite, duke përfshirë validimin, njohjen e kualifikimeve profesionale dhe periudhën intensive të provimeve. Sfida kryesore ishte orientimi i saktë në burokracinë zvicerane, përvetësimi i terminologjisë profesionale dhe menaxhimi i kohës për të balancuar punën, studimet dhe jetën familjare. Edhe kostot financiare dhe procedurat administrative kërkonin durim të lartë. Në këtë rrugëtim, mbështetja e familjes dhe orientimi i Norgon Berisha më ndihmuan të mbeta i fokusuar.

albinfo.ch: Sa përcaktuese ishte përvoja juaj paraprake dhe njohja e gjuhëve zyrtare?

Jeton Zena: Përvoja 15-vjeçare në auditim sipas standardeve ndërkombëtare dhe certifikimi pranë SCAAK formuan një bazë solide. Zotërimi i frëngjishtes ishte vendimtar për kalimin e provimeve, ndërsa njohuritë në gjermanisht dhe italisht lehtësojnë integrimin në tregun zviceran.

albinfo.ch: Cilat janë mësimet më të mëdha nga sistemi zviceran dhe cilat gabime bëjnë shpesh bashkatdhetarët?

Jeton Zena: Sistemi zviceran më mësoi se profesionalizmi ndërtohet mbi disiplinë, transparencë dhe respektimin e rregullave. Gabimi më i shpeshtë është pranim i punës jashtë profilit për arsye ekonomike afatshkurtra, duke e ndërprerë procesin e njohjes së diplomës. Integrimi profesional dhe social duhet të ecën paralelisht.

albinfo.ch: Si mund të shërbejë rasti juaj si model për të rinjtë?

Jeton Zena: Besoj se me një qasje të strukturuar, licencimi është i mundur edhe në sektorët më të rregulluar. Institucionet në Kosovë duhet të rrisin bashkëpunimin me autoritetet zvicerane për lehtësim të njohjes së kualifikimeve. Mesazhi im për të rinjtë është: mos humbni kohë! Njohja e diplomës është hapi i parë dhe investimi më i sigurt për të ardhmen tuaj.

albinfo.ch: Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Jeton Zena: Synimi im është të vazhdoj zhvillimin profesional në auditim dhe financa në Zvicër, duke kontribuar në nivelet më të larta. Jam i gatshëm të shërbej si pikë referimi, duke ndarë përvojën time dhe duke ofruar orientim praktik për profesionistët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin të njëjtën rrugë.

Për orientim dhe këshilla praktike, Jeton Zena ofron kontaktet e mëposhtme:

Me pak fjalë

Përmbledhje e shkurtër e procesit të njohjes së diplomës dhe licencimit si auditor në Zvicër, duke theksuar sfidat, përgatitjen dhe rëndësinë e gjuhës në integrimin profesional.

Personat e përmendur


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.