Elbenita Kajtazi: Nga auditorët e Universitetit të Prishtinës në skenat e mëdha të operës botërore

Elbenita Kajtazi: Nga auditorët e Universitetit të Prishtinës në skenat e mëdha të operës botërore

Nga auditorët e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës deri në skenat e mëdha të operës në Evropë dhe botë, rrugëtimi i sopranos kosovare Elbenita Kajtazi është ndërtuar mbi talentin, por edhe mbi vite të tëra pune, disipline dhe përkushtimi, transmeton albinfo.ch.

Këtë vit, Universiteti i Prishtinës e nderoi ish-studenten e tij me çmimin “Alumni Nderi”, një vlerësim që për Kajtazin ka një domethënie të veçantë.

“Çmimin ‘Alumni Nderi’ e pranoj me mirënjohje dhe emocion të veçantë. Për mua është sikur një pjesë e rrugëtimit të kthehet aty ku ka filluar. Është një takim simbolik mes studentes që dikur kishte shumë ëndrra dhe artistes që sot, pas shumë vitesh pune, kthehet për të thënë: ia vlen të besosh në to”, është shprehur Kajtazi.

 

Universiteti, pjesë e identitetit të saj artistik

Sopranoja nga Mitrovica, e cila gjatë karrierës ka interpretuar role kryesore në vepra të njohura të repertorit operistik, përfshirë “Carmen”, “La Traviata” dhe “La Bohème”, e konsideron periudhën e studimeve në Universitetin e Prishtinës si një prej pikave të rëndësishme të formimit të saj.

Për të, universiteti nuk ishte vetëm vendi ku mori njohuritë profesionale, por edhe hapësira ku ndërtoi disiplinën dhe përgjegjësinë që kërkon një karrierë artistike.

“Vitet e studimeve nuk më dhanë vetëm dije profesionale. Ato më mësuan disiplinën, përkushtimin, durimin dhe përgjegjësinë që kërkon arti. Kur sot ngjitem në skena ndërkombëtare, me vete e bart gjithmonë një pjesë të vendit prej nga vij”, ka thënë ajo.

Kajtazi shton se Universiteti i Prishtinës mbetet pjesë e identitetit të saj artistik dhe e historisë së saj personale.

 

“Talenti vetëm nuk mjafton”

Duke folur nga përvoja e saj, sopranoja kosovare thekson se talenti është vetëm pika e nisjes së një rrugëtimi drejt suksesit.

“Talenti është një dhuratë, por talenti vetëm nuk mjafton. Duhet disiplinë, punë e vazhdueshme, durim dhe gatishmëri për të mësuar çdo ditë”, shprehet ajo.

Kajtazi u drejtohet veçanërisht të rinjve që janë në fillimet e rrugëtimit të tyre, duke i paralajmëruar se rruga drejt suksesit nuk është gjithmonë e lehtë.

Në çdo rrugëtim, sipas saj, do të ketë refuzime, dyshime dhe momente kur objektivi duket i paarritshëm. Por pikërisht këto vështirësi, thotë ajo, ndihmojnë në ndërtimin e karakterit.

 

“Mos kini frikë të ëndërroni shumë”

Për studentët e Universitetit të Prishtinës, mesazhi i saj është i qartë: të ëndërrojnë, por të jenë të gatshëm të punojnë për ato ëndrra.

“Do t’u thosha të mos kenë frikë të ëndërrojnë shumë, por njëkohësisht të jenë të gatshëm të punojnë shumë për ëndrrat e tyre”, ka thënë Kajtazi.

Ajo thekson gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së lidhjes me vendin e origjinës, pavarësisht se ku mund ta çojë karriera një artist apo profesionist.

“Suksesi nuk duhet të na largojë nga vendi prej nga vijmë. Sa më shumë që arrijmë, aq më shumë kemi mundësi dhe përgjegjësi që të hapim dyer edhe për të tjerët”, shprehet sopranoja.

 

Alumni UP si urë mes brezave

Kajtazi e sheh Shoqatën Alumni UP si një mundësi për të krijuar lidhje më të forta ndërmjet studentëve dhe profesionistëve që tashmë kanë ndërtuar karriera brenda dhe jashtë Kosovës.

Sipas saj, kjo mund të realizohet përmes mentorimit, takimeve me studentët, masterklasave, këshillimit profesional dhe krijimit të kontakteve ndërkombëtare.

“Shoqata Alumni UP mund të krijojë ura konkrete mes brezave: mentorim, takime me studentët, masterklasa, këshillim profesional, krijim kontaktesh dhe mundësi që të rinjtë tanë të lidhen me profesionistë që tashmë kanë krijuar karrierë brenda dhe jashtë vendit”, ka deklaruar ajo.

Për sopranon kosovare, lidhja me universitetin nuk duhet të përfundojë me marrjen e diplomës. Përkundrazi, ajo beson se të diplomuarit mund të rikthehen për të ndarë përvojën e tyre dhe për t’u dhënë brezave të rinj atë që dikur e kanë marrë vetë.

“Universiteti nuk duhet të jetë një vend me të cilin marrëdhënia jonë përfundon ditën kur marrim diplomën. Përkundrazi, do të ishte shumë bukur që të mbetet një shtëpi e përbashkët ku gjeneratat kthehen, ndajnë përvojën dhe ndihmojnë gjeneratat që vijnë pas tyre”, ka thënë Elbenita Kajtazi./Albinfo.ch

The post Elbenita Kajtazi: Nga auditorët e Universitetit të Prishtinës në skenat e mëdha të operës botërore appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.