Djali i Trumpit në gjueti në Mongoli me oligarkun rus të lidhur me Putinin

Djali i presidentit amerikan Donald Trump, Donald Trump Jr., në fund të gushtit udhëtoi në Mongoli për gjueti me oligarkun rus Umar Kremlev, i cili është i lidhur ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin, zbulon Financial Times.
Ndërsa djali i presidentit qëndronte për gjueti, ambasada amerikane në Ulan Bator shpenzoi 18.715 dollarë nga buxheti për dhomat e hotelit për agjentët e Shërbimit Sekret që kujdeseshin për sigurinë e tij.
Në fund të gushtit, Donald Trump Jr. ateroi në kryeqytetin e Mongolisë, Ulan Bator, e më pas udhëtoi disa qindra kilometra më tutje në një kamp gjuetie në perëndim të vendit. Atje kaloi dy ditë në shoqërinë e Umar Kremlevit, si dhe të një numri të vogël udhërrëfyesish, shoferësh dhe kuzhinierësh.
Gazetarët e Financial Times e konfirmuan këtë takimin në bazë të deklaratave të udhërrëfyesve dhe zyrtarëve lokalë, të dhënave të fluturimeve, publikimeve në rrjetet sociale dhe dokumenteve publike të disponueshme.
Sipas dokumenteve federale amerikane, ambasada në Ulan Bator pagoi 18.715 dollarë për dhomat e hotelit gjatë qëndrimit të agjentëve të Shërbimit Sekret nga 23 gushti deri më 6 shtator. Meqenëse i përket familjes së ngushtë të presidentit amerikan, Trump Jr. udhëton nën mbrojtjen e vazhdueshme të Shërbimit Sekret.
Kush është Umar Kremlev? Nga gjobëvënia te “Ujqërit e Natës” të Putinit
Kremlev (43) ka lindur në Taxhikistan si Umar Lutfullojev, ndërsa mbiemrin e ndryshoi në vitin 2010. Më parë, gjykatat ruse e kishin dënuar atë në vitin 2004 për gjobëvënie (zhvatje), ndërsa në vitin 2007 edhe për sulm fizik. Menjëherë pas ndryshimit të identitetit, ai iu bashkua bandës së njohur të motoristëve “Ujqërit e Natës”, ku u afrua me Aleksej Rubezhnojin, njeriun që sot udhëheq shërbimin personal të sigurisë presidenciale të Putinit.
Pikërisht kjo njohje i hap dyert e botës së boksit, por edhe të politikës së lartë. Kremlev në vitin 2020 u vendos në krye të Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit (IBA), në të cilën menjëherë u pompuan para nga gjiganti shtetëror rus Gazprom, ndërsa Vladimir Putin personalisht e dekoroi me Urdhrin e Miqësisë.
Vitin e kaluar, Kremlev mori nën kontroll edhe “Rolf”, zinxhirin më të madh të salloneve të automobilave në Rusi, dhe këtë përmes një dekreti me të cilin Putin e hoqi kompaninë nga pronësia shtetërore dhe praktikisht ia dorëzoi atij.
Me fluturim natën udhëtoi për në Mongoli
Kremlev më 27 gusht u largua nga një konferencë për media e IBA-së në Kazakistan dhe me një fluturim çarter natën udhëtoi për në Ulan Bator, nga ku vazhdoi drejtpërdrejt për në kampin e gjuetisë të djalit të presidentit. Me Kremlevin mbërriti edhe biznesmeni rus Artur Martirosov, partner në fondin e kapitalit sipërmarrës “Voskhod”, i cili gjendet nën sanksionet amerikane.
U fshehën nga aparatet fotografike dhe gjuajtën lloj të rrezikuar
Një nga pjesëmarrësit e atij udhëtimi tregoi për gazetarët se Trump Jr. dhe Kremlev në kamp u munduan t’i shmangeshin çdo fotografimi të përbashkët. Pas dy ditësh në kampin e gjuetisë, Kremlev u kthye në Ulan Bator, e nga atje fluturoi për në Jakutsk për një ndeshje boksi të IBA-së. Trump Jr. qëndroi në Mongoli edhe një javë tjetër dhe vazhdoi të gjuante në krahinën Bajan-Ulgij.
Një nga udhërrëfyesit zbuloi se djali i presidentit amerikan gjatë gjuetisë vrau një desh të egër të Altajit (argali), i cili hyn në llojet e rrezikuara të kafshëve. Sipas të dhënave që citon Financial Times, Trump Jr. që nga viti 2019 ka vrarë në Mongoli edhe të paktën dy argali të tjerë.
Pasi përfundoi gjuetinë, Donald Trump Jr. u kthye në Ulan Bator dhe u takua me presidentin mongol Uhnagin Hurelsuh. Zëdhënësi i djalit të presidentit deklaroi se takimi ishte i natyrës jozyrtare dhe se bashkëbiseduesit kryesisht biseduan për aktivitete në natyrë.
Si arriti pushtetari rus te djali i Trumpit?
Te familja Trump, Kremlev depërtoi pikërisht përmes sportit dhe temave ideologjike. Pas rizgjedhjes së Donald Trumpit si president, Kremlev i dërgoi një letër të hapur ku e laudonte atë për kundërshtimin e pjesëmarrjes së grave transgjinore në boksin e femrave.
Në shtator të vitit të kaluar, Trump Jr. u shfaq me Kremlevin në skenë gjatë një paneli të IBA-së në Stamboll, ku shtyheshin përpara me të njëjtën retorikë, ndërsa zëdhënësit pretendojnë se para disa vitesh i ka njoftuar një mik i përbashkët dhe se i lidh ekskluzivisht pasioni për boksin dhe gjuetinë.
Sidoqoftë, ekspertët amerikanë të inteligjencës shohin në këtë marrëdhënie një rrezik serioz të sigurisë. Dan Hoffman, ish-zyrtar i lartë i CIA-s, paralajmëron se “është pothuajse e pamundur që Kremlev të ketë çfarëdo kontakti me familjen Trump pa e ditur shërbimet ruse këtë paraprakisht”. Ekspertët rikujtojnë se Moska rregullisht përdor sportin dhe shoqërimet private si paravan për vendosjen e kontakteve dhe mbledhjen e ndikimit rreth majave politike amerikane.
Rusi i pagoi festën në ishullin privat dhe fishekzjarrët për dasmë
Gjuetia në Mongoli u organizua pak kohë pas festës së dasmës së Trump Jr., të mbajtur në maj në ishujt privatë në Karaibe. Portali hulumtues ProPublica më parë ka publikuar se pikërisht Umar Kremlev ka mbuluar një pjesë të shpenzimeve të kësaj feste, përfshirë marrjen me qira të njërit prej ishujve dhe fishekzjarrët.
Përfaqësuesi i Trump Jr. e përshkroi Kremlevin si “mik personal”. Ai pretendon se janë afruar për shkak të interesit të përbashkët për boksin dhe qëndrimin në natyrë, si dhe se mes tyre nuk ka asnjë lloj lidhjeje biznesi.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



