Elhaida Dani: “Festivali i Këngës është një mision kombëtar”

Elhaida Dani, një nga zërat më të fuqishëm dhe të dashur të muzikës shqiptare, është sot jo vetëm këngëtare, por edhe drejtoreshë artistike e Festivalit të Këngës në RTSH. Në një periudhë të mbushur me sfida dhe projekte, ajo flet në revistën e mirënjohur “WHO” për angazhimet e saj, përgjegjësinë e madhe që ndien ndaj […]

Elhaida Dani: “Festivali i Këngës është një mision kombëtar”

Elhaida Dani, një nga zërat më të fuqishëm dhe të dashur të muzikës shqiptare, është sot jo vetëm këngëtare, por edhe drejtoreshë artistike e Festivalit të Këngës në RTSH. Në një periudhë të mbushur me sfida dhe projekte, ajo flet në revistën e mirënjohur “WHO” për angazhimet e saj, përgjegjësinë e madhe që ndien ndaj publikut dhe për ëndrrat që ende e shtyjnë përpara.

Tre projekte madhore

Në këtë moment, Elhaida ka përqendruar energjinë në tri fronte: drejtimin e Festivalit të Këngës në RTSH, përgatitjen e një albumi të ri në bashkëpunim me Aida Barakun dhe Armend Rexhepagiqin, si dhe vazhdimin e turneut botëror me musical-in “Notre Dame de Paris”, ku ajo luan rolin e Esmeraldës. “Festivali është mision për mua. Është një pjesë e fëmijërisë sime, ndaj e ndiej si përgjegjësi ta çoj përpara me dinjitet. Albumi është një projekt shumë personal që e kam mbajtur të fshehur për më shumë se një vit, ndërsa turneu me Notre Dame është një eksperiencë që më ka rritur si artiste dhe njeri,” shprehet ajo.

Një festival më modern dhe i guximshëm

Pas suksesit të edicionit të kaluar, Dani është e bindur se këtë vit publiku do të shohë një festival edhe më modern e të guximshëm. “Për mua është thelbësore të mbaj shpirtin e festivalit si ngjarje kombëtare, por edhe ta bëj më aktual e më pranë publikut. Dua këngë të forta, një skenë të jashtëzakonshme dhe një garë të vërtetë,” thotë ajo.

Për të, suksesi matet me dy elementë: këngë që mbeten gjatë në memorien e publikut dhe një përfaqësim dinjitoz në Eurovision.

Stafi, surprizat dhe vizioni

Elhaida thekson se çelësi i suksesit është ekipi: “Njerëzit që punojnë me mua duhet të duan festivalin po aq sa unë. Mbi çdo CV, vlen pasioni për muzikën dhe gatishmëria për të bashkëpunuar.” Sa i përket të ftuarve, ajo lë hapësirë për surpriza: “Mund të jetë një festival krejtësisht shqiptar këtë vit, sepse edhe tema e tij është shqip.”

Rikthimi në skenë dhe emocionet

Një dekadë pas fitores, rikthimi si drejtoreshë e festivalit ishte një moment emocional për këngëtaren. “Në fillim ndjeva frikë, por kur dola në skenë u ktheva sërish në atë vajzën e vogël që këndonte aty. Ishte një emocion më i fortë se kur fitova.”

Edhe pse shumë fitues nuk kthehen më në garë, Elhaida thotë se do të kishte dëshirë të rikthehej si konkurrente, me kusht që t’i besonte plotësisht drejtimit artistik dhe rregullave të reja.

Albumi i ri dhe bashkëpunimet

EP-ja e saj e re, e punuar me Darko Dimitrovin, përmban pesë këngë, prej të cilave tre janë bashkëpunime me emra të njohur: MC Kresha, Olsi Bylyku dhe Don Phenom. “Është një projekt shumë i dashur për mua, një nga ëndrrat që kam realizuar. Çdo këngë është e menduar me kujdes dhe ka shpirt,” tregon Elhaida.

Karriera dhe ëndrrat

Nga “Star Academy” e deri tek “The Voice of Italy” dhe “Dancing with the Stars”, rrugëtimi i saj është i mbushur me triumfe. Por përtej sukseseve, ajo pranon se ende kërkon “këngën perfekte”. Nëse do të kishte një bashkëpunim ëndrrash, ajo përmend këngëtaren italiane Giorgia, por shton se mbi të gjitha ëndrra e saj është një këngë që të ndiejë se është krejtësisht e saj.

Notre Dame de Paris, përvoja më jetë-ndryshuese

Me qindra shfaqje në botë, nga Broadway në New York te Arena di Verona dhe Sejong Theater në Kore, Elhaida thotë se përvoja me “Notre Dame de Paris” e ka formuar si artiste. Por momenti kulmor ishte kur solli vetë këtë musical në Shqipëri në vitin 2023, para 14 mijë spektatorëve. “Jam krenare që jam shqiptarja e parë që solli një musical Guinness në vendin tim,” thotë ajo.

Lumturia dhe manifestimi i së ardhmes

E pyetur për lumturinë e saj, ajo është e qartë: “Lumturia ime është të kem familjen mirë e të organizuar. Atëherë ndihem e lirë të pushtoj botën.”

Dhe pse roli i saj në RTSH është i rëndësishëm, Elhaida nuk fsheh se ëndrra e saj e madhe mbetet skena e Sanremos. “Së pari, dua të jem aty si konkurrente. Vetëm pas kësaj do të mendoja për një rol si drejtoreshë artistike. Dhe pse jo? Le ta manifestojmë bashkë.”