Epopeja e UÇK-së, Osmani: Sot na përkujtohet se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për liri
Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Atje, e para e vendit, para kamerave tha se kjo ditë përkujton sakrificën e të gjithë dëshmorëve e martirëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.. Osmani shtoi se kjo ditë më së shumti

Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Atje, e para e vendit, para kamerave tha se kjo ditë përkujton sakrificën e të gjithë dëshmorëve e martirëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës..
Osmani shtoi se kjo ditë më së shumti i kushtohet familjes Jashari
“Si çdo vit, e përkujtojmë Epopenë e UÇK-së, e cila i dedikohet përkujtimit tonë të përbashkët në këtë kohë lirie, për secilin dëshmorë, për secilin hero, për secilin martirë që ka dhënë jetën për Kosovën, por mbi të gjitha i kushtohet sakrificës, guximit dhe trimërisë së pashoq të treguar nga familja Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari. Ata luftuan shumë më gjatë, sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe njëkohësisht duke i shndërruar kullat e Jasharajve në simbol të një kalaje të lirisë, e cila edhe sot e mbron Kosovën, e mbron lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj”, tha ajo.
Tutje, Osmani thotë se asnjëherë nuk duhet të harrohet çmimi i lartë që pagoi Kosova për lirinë e saj.
“Nga këtu jo vetëm ne si breza që e përjetuam luftën, por edhe breza të rinj, edhe fëmijët tanë, inspirohen për rrugën përpara, për mbrojtjen e lirisë së arritur me sakrificë e me gjak, por mbi të gjitha na përkujtohet secilit se sa i lartë ka qenë çmimi i paguar për lirinë tonë, sepse përveç komandantit legjendar i cili luftoi së bashku me babanë e tij Shabanin, vëllanë Hamzën, dhe me shumë anëtarë të familjes, siç e dini, shumica e të rënëve nga familja Jashari ishin gra dhe fëmijë, që e bënë shumë më të madhe dhe më të shenjtë këtë sakrificë të familjes Jashari. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, asnjëherë nuk duhet të devijojmë nga rruga e shtruar nga kjo sakrificë e heronjve, dëshmorëve e martirëve. Gjithnjë kjo rrugë, dhe kjo sakrificë do të shërbejë për secilin prej nesh si dritë udhërrëfyese në forcimin e Kosovës, Kosovës e cila çdo ditë po bëhet më e fortë. Lavdi gjithë dëshmorëve të Kosovës, rr’noftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Republika e Kosovës për të cilën ata dhanë jetën”.