Kush është deputeti i PDK-së që pritet të votoj Sejdiun për president

Kush është deputeti i PDK-së që pritet të votoj Sejdiun për president

Emri i Bekim Sejdiut është zyrtarizuar si kandidat i përzgjedhur nga marrëveshja e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për postin e Presidentit të vendit. Ky zhvillim ka vënë në lëvizje skenën politike, duke hapur njëkohësisht dilema të forta rreth sigurimit të numrave të nevojshëm në Kuvend.

Në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe qarqeve politike është pozicionimi i deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa-Remi.


Spekulimet se ai mund të jetë deputeti që do t’i japë votën kandidaturës së Sejdiut vijnë pas një sërë qëndrimesh publike që ai ka mbajtur në favor të thyerjes së ngërçeve përmes bashkëpunimit ndërpartiak, përcjell INA.

Në daljet e tij publike, Rrustem Mustafa ka insistuar hapur se skena politike duhet të lëvizë përpara përmes qasjeve pragmatike, duke bërë thirrje për zhbllokimin e krizës politike.

Mustafa ka theksuar se “koha për të lëvizur përpara është tani”, duke shtuar se subjektet kryesore duhet të ndërtojnë ura komunikimi. Këto deklarata e kanë pozicionuar atë si një ndër zërat më të veçantë brenda strukturave të PDK-së sa i përket qasjes ndaj pushtetit aktual.

Pavarësisht aludimeve dhe interesimit të shtuar mediatik, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë deputeti Mustafa rreth mënyrës se si do të votojë, duke lënë të hapur skenarin e një vote individuale që mund të rezultojë vendimtare për fatin e institucionit të kreut të shtetit.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.