Familja e Agon Zejnullahut kërkon drejtësi, proteston para stacionit policor në Lipjan
Në qytetin e Lipjanit sot po mbahet një protestë për rastin tragjik të vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq tragjikisht në duart e pesë policëve të Kosovës derisa po tentonin ta arrestonin. Në protestë, po marrin pjesë edhe familjarët e Agon Zejnullahut. “Drejtësi për Agonin”, “Poshtë brutaliteti policr”, kanë qenë thirrjet e […]

Në qytetin e Lipjanit sot po mbahet një protestë për rastin tragjik të vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq tragjikisht në duart e pesë policëve të Kosovës derisa po tentonin ta arrestonin.
Në protestë, po marrin pjesë edhe familjarët e Agon Zejnullahut.
“Drejtësi për Agonin”, “Poshtë brutaliteti policr”, kanë qenë thirrjet e protestuesve që janë mbledhur para objektit të Komunës së Lipjanit, për të lëvizur pastaj në drejtim të stacionit të Policisë në këtë qytet.
Vëllai i tij Albani, tha se si familje kërkojnë hetim të plotë, dhe se kërkimi për drejtësi nuk do të përfundojë.
“Drejtësi për Agonin. Të dashur pjesëmarrës, të gjithë ju që jeni sot këtu, me zemër plot dhimbje por me qëllim të pastër e paqësor, ju falënderoj për praninë tuaj. Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi, sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Jemi këtu sepse dhimbja e familjes së Agonit është dhimbje kolektive, sepse heshtja vret për herë të dytë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simboli i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Ai është kujtimi që na bënë thirrje të mos mbyllim sytë, të mos dorëzohemi që të kërkojmë të vërtetën”, u shpreh Albani.