Flotilja me ndihma humanitare për Gazën ndalohet nga Izraeli
Një flotilje e re me ndihma ushqimore dhe mjekësore, që kishte si destinacion Rripin e Gazës, është ndaluar nga forcat izraelite. Flotilja, e përbërë nga nëntë anije dhe rreth 150 persona në bord, u ndalua sipas organizatave “Freedom Flotilla Coalition” dhe “Thousand Madleens to Gaza”, të cilat po e organizonin misionin. Ministria e Jashtme e [...]Read More...

Një flotilje e re me ndihma ushqimore dhe mjekësore, që kishte si destinacion Rripin e Gazës, është ndaluar nga forcat izraelite.
Flotilja, e përbërë nga nëntë anije dhe rreth 150 persona në bord, u ndalua sipas organizatave “Freedom Flotilla Coalition” dhe “Thousand Madleens to Gaza”, të cilat po e organizonin misionin.
Ministria e Jashtme e Izraelit deklaroi se “një tjetër përpjekje e kotë për të thyer bllokadën detare ligjore dhe për të hyrë në një zonë lufte përfundoi pa sukses”.
Javën e kaluar, ushtria izraelite ndaloi një flotilje tjetër me 42 anije dhe 479 aktivistë pro-palestinezë, përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg. Shumica prej tyre u ndaluan dhe më pas u dëbuan, ndërsa 138 mbeten ende në paraburgim.
Organizatorët e flotiljes së fundit raportuan se tre anije u ndaluan në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, rreth 120 milje detare larg brigjeve të Gazës. Brenda pak orësh, një sistem gjurmimi tregoi se të nëntë anijet ishin ndaluar.
Qeveria izraelite konfirmoi se “anijet dhe pasagjerët janë transferuar në një port izraelit dhe të gjithë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore”. Sipas autoriteteve, pasagjerët pritet të dëbohen së shpejti.
Në bord ndodheshin qytetarë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe Turqinë. Ministria e Jashtme turke e cilësoi ndërhyrjen si “një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare” dhe “një akt piraterie”.
Operacioni i fundit vjen në kontekstin e luftës në Gazë, e cila shpërtheu pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, që drejtohet nga Hamasi, të paktën 67,160 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që atëherë.
Izraeli mban një bllokadë detare ndaj Gazës që nga viti 2007, kur Hamasi mori kontrollin e territorit. Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar gjithashtu se të paktën 460 palestinezë kanë humbur jetën nga pasojat e kequshqyerjes që nga nisja e luftës shumica në qytetin e Gazës, që ka qenë në qendër të operacioneve ushtarake izraelite javët e fundit.
Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC), një trupë e mbështetur nga OKB-ja, ka konfirmuar se në qytetin e Gazës ka shpërthyer uria dhe paralajmëroi se ajo mund të përhapet në pjesë të tjera brenda disa javësh.
Izraeli i kundërshton gjetjet e IPC-së, duke këmbëngulur se vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe se lejon hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza.