Milano: Doruntina mbron me sukses doktoraturën për arkitekturë dhe urbanizëm
Arkitektja shqiptare me doktoratë “Cum Laude” në Politeknikun e Milanos The post Milano: Doruntina mbron me sukses doktoraturën për arkitekturë dhe urbanizëm appeared first on Albinfo.

Arkitektja dhe studiuesja shqiptare nga Kërçova, Doruntina Zendeli, ka mbrojtur me vlerësimin maksimal “Cum Laude” doktoraturën e saj në Politeknikun e Milanos, një prej institucioneve më prestigjioze në Evropë në fushën e arkitekturës dhe planifikimit urban, përcjell albinfo.ch.
Doktoratura e saj është zhvilluar në Departamentin e Arkitekturës dhe Studimeve Urbane (DAStU), në bashkëpunim me Universitetin Teknologjik të Delftit (TU Delft) në Holandë, Departamenti i Urbanizmit.
Tema e punimit të saj kërkimor mban titullin:
“Forma Urbane, Klima dhe Shëndeti – Një studim rreth shëndetit urban dhe qëndrueshmërisë ndaj temperaturave të larta për ripërshtatjen e ambientit të jashtëm”
(“Urban Form, Climate and Health – A study on urban health and heat stress resilience for outdoor climate retrofitting”).
Ky hulumtim multidisiplinar trajton lidhjen midis formës urbane, klimës dhe shëndetit publik, duke analizuar mënyrat se si qytetet mund të përshtaten ndaj valëve të nxehtësisë dhe ndryshimeve klimatike për të krijuar hapësira të qëndrueshme dhe të shëndetshme për banorët.
Doruntina Zendeli u vlerësua nga një komision ndërkombëtar i përbërë nga profesorë të shquar:
• Prof. Andrea Arcidiacono (Politecnico di Milano)
• Prof. Blanca Arellano (Universitat Politècnica de Catalunya)
• Prof. Deepti Adlakha (Delft University of Technology)
Mentorët e saj akademikë ishin Prof. Eugenio Morello dhe Prof. Nicola Colaninno nga Politecnico di Milano, si dhe Prof. Arjan van Timmeren dhe Prof. Marjolein van Esch nga TU Delft.
Pjesë të hulumtimit të saj janë publikuar në revista shkencore ndërkombëtare në gjuhën angleze dhe italiane, duke kontribuar në diskutimin bashkëkohor mbi qëndrueshmërinë urbane dhe dizajnin klimatik të qyteteve.
Aktualisht, Doruntina është e angazhuar si asistente mësimore në programet Bachelor dhe Master të Politeknikut të Milanos, ndërsa ka filluar studimet postdoktorale në të njëjtën fushë. Ajo është gjithashtu pjesë e projekteve kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, në kuadër të laboratorit shkencor ku vepron si hulumtuese aktive.
Arritja e saj përbën një shembull frymëzues të kontributit të diasporës shqiptare në akademinë evropiane, duke dëshmuar profesionalizëm, përkushtim dhe potencial të lartë kërkimor. /Albinfo.ch
The post Milano: Doruntina mbron me sukses doktoraturën për arkitekturë dhe urbanizëm appeared first on Albinfo.