FSK-së i shtohen 344 ushtarë të rinj
Presidentja Osmani, e kryeministri Kurti: Ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e UÇK-së The post FSK-së i shtohen 344 ushtarë të rinj appeared first on Albinfo.

Sot është mbajtur ceremonia certifikimit të 344 rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 01/2025, përcjell albinfo.ch.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj tha se betimi si ushtar i FSK-së nuk është thjesht një akt formal, por është mision, nder dhe përgjegjësi e lartë.
“Të jeni pjesë e FSK-së nuk është thjeshtë profesion, është një thirrje, mision, nder dhe përgjegjësi e lartë. Sot ju do të bëni betimin tuaj si ushtarë të FKS-së dhe ky nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim i shenjtë që do të ju udhëheqë gjatë gjithë jetës suaj ushtarake.
Me këtë uniformë ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës.. Ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e UÇK-së dhe patriotëve të shumët të tjerë ndër breza”, tha Osmani.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se Kosova së shpejti do të ketë edhe helikopterët “Black Hawk”.
Kurti gjatë fjalës së tij në ceremoninë e certifikimit të 344 rekrutëve të FSK-së tha se gjatë mandatit katërvjeçar kanë dyfishuar numrin e ushtarëve të rinj si dhe kanë investuar në armatim luftarak.
“Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare që kemi bërë deri tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj të cilëve do të ju shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm, në total 2705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë duke blerë dronët luftarak ‘Bayraktar’, sistemin raketor anti tank, dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët ‘Black Hawk’ (Skifterët e zi) në inventarin e ushtrisë. Kemi vendosur themelin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova, e të gjitha këto sipas standardeve të vendeve të NATO-s”, tha ai.
The post FSK-së i shtohen 344 ushtarë të rinj appeared first on Albinfo.