Akademik Rexhep Qosja: Zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i së vërtetës

Akademik Rexhep Qosja: Zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i së vërtetës

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) mbajti mbledhje komemorative për nder të akademik Rexhep Qosjes

ASHAK ka mbajtur një mbledhje komemorative për të nderuar jetën dhe vepër e akademik Rexhep Qosjes, i cili u nda nga jeta.

Në këtë mbledhje, u vlerësua lartë jeta dhe vepra e akademik Rexhep Qosjes. Justina Shiroka Pula, kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e ka cilësuar të ndjerin Qosja si zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe mbrojtës i palëkundur i së vërtetës.

“Akademik Qosja ishte më shumë se një shkrimtar. Ai ishte një institucion në vete, një zë i fuqishëm i arsyes kritike dhe një mbrojtës i palëkundur i së vërtetës. Humbja e tij nuk është vetëm humbje e letërsisë dhe kulturës sonë. Ajo përmban një humbje të madhe kombëtare, një zbrazëti që prek ndërgjegjen intelektuale të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.

Veprimtaria e tij shumëdimensionale si studiues, shkrimtar, kritik letrar dhe mendimtar publik përfaqëson arritje të rëndësishme të kulturës shqiptare bashkëkohore. Ai ndërtoi një opus të gjerë dhe të qëndrueshëm, i cili jo vetëm pasuroi fondin tonë shkencor e letrar, por edhe kontribuoi në frymëzimin e vetëdijes sonë kombëtare në periudha vendimtare historike.

Trashëgimia e tij do të mbetet një udhërrëfyes i çmuar, një pasuri e mendimit, e krijimtarisë dhe integritetit që do të vazhdojë të frymëzojë brezat që vijnë. Vepra e tij do të vazhdojë të jetë si një referencë e rëndësishme e dijes dhe si një burim frymëzimi për studiuesit, krijuesit dhe të gjithë ata që besojnë në fuqinë e mendimit të lirë.

Akademik Qosja mishëroi në mënyrë të denjë figurën intelektuale të angazhuar, të përkushtuar ndaj së vërtetës dhe të palëkundur në mbrojtje të vlerave themelore të shoqërisë. Ai mbeti gjithmonë konsekuent në mendimin e tij, duke dëshmuar integritet të lartë dhe guxim qytetar edhe në rrethana kur fjala e lirë kërkonte sakrificë”, tha Shiroka Pula.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Qosjen tha se nuk i druhej polemikës dhe se ishte luftëtar i pendës i cili u bë zëdhënës i popullit të ndaluar.

“Ai u dallua si kritik letrar, eseist dhe intelektual publik duke kontribuar në mënyrë të thellë në analizën e identitetit kombëtar, historisë dhe zhvillimit të letërsisë shqipe.

Ai mbrojti vazhdimisht rëndësinë e kulturës si bazë të vetëdijes kombëtare dhe si instrument për emancipim shoqëror, duke ndikuar në formimin intelektual të brezave të tërë në hapësirën shqiptare. Rexhep Qosja ishte modeli i intelektualit publik. Puna e tij shkencore dhe krijimtare do të mbetet një referencë e rëndësishme për brezat të ardhshëm”, tha Kurti.

Burimi i lajmit: Koha.net