Gazeta zvicerane: Ja si ka votuar diaspora e Kosovës në Aargau
“Aargau është Kosova e Zvicrës”, mund të lexohej në mediat zvicerane. Arsyeja: 6 nga 10 komunat me përqindjen më të lartë të kosovarëve ndodhen në Aargau The post Gazeta zvicerane: Ja si ka votuar diaspora e Kosovës në Aargau appeared first on Albinfo.

Zgjedhjet që u mbajtën të dielën në Kosovë vazhdojnë të ngjallin kureshtje edhe në Zvicër. Përveç për vetë rrjedhën e zgjedhjeve, mediat zvicerane merren në mënyrë të veçantë edhe me interesimin e shtetasve të Kosovës që jetojnë në Zvicër, për zgjedhjet në atdheun e tyre ose të prindërve të tyre, shkruan albinfo.ch.
Gazeta “Aarguer Zeitung” i ka kushtuar pikërisht kësaj artikullin, pjesë të të cilit, mund t`i lexoni në vazhdim.
“Një numër veçanërisht i madh i kosovarëve jetojnë në Aargau, siç tregon një analizë e të dhënave. Tre persona me rrënjë në vendin ballkanik shpjegojnë pse votojnë atje. Njëri prej tyre ka bërë fushatë për kryeministrin Albin Kurti. Votat e diasporës ende nuk janë numëruar”, fillon artikulli i gazetës së përmendur, duke u fokusuar në votuesit nga Kantoni Aargau, që konsiderohet, proporcionalisht kantoni me më së shumti banorë me rrënjë kosovare.
Të dielën, kosovarët zgjodhën parlamentin e ri. Partia e majtë në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosje, mbetet forca më e fortë. Megjithatë, ndoshta nuk do të mjaftojë për një shumicë absolute – ndryshe nga zgjedhjet e fundit të vitit 2021. Ende nuk janë numëruar të gjitha votat, sidomos ato të diasporës. Këtë e konfirmon Driton Kryeziu.
Qytetari me shtetësi zvicerano-kosovare nga Endingeni është anëtar i Vetëvendosjes dhe ka bërë fushatë për vota në Aargau. Ai ka udhëtuar në Kosovë për zgjedhjet, transmeton albinfo.ch. Komisioni qendror zgjedhor ende është duke i kontrolluar rezultatet nga komunat, thotë Kryeziu. I kanë thënë se do të duheshin edhe një ose dy javë derisa të numëroheshin votat e diasporës.
Këto zëra nuk duhen nënvlerësuar: rreth një e treta e të gjithë votuesve me të drejtë vote në Kosovë jetojnë jashtë vendit, nga të cilët rreth një e dhjeta ose rreth 250,000 njerëz jetojnë në Zvicër – shumë prej tyre në Aargau.
Më së shumti kosovarë jetojnë në Leibstadt
“Aargau është Kosova e Zvicrës”, mund të lexohej në një titull të gazetës Blick, në vitin 2023. Arsyeja: Shumë nga komunat në të cilat jetojnë përqindja më e lartë e kosovarëve ndodhen në Aargau. Aktualisht janë gjashtë komuna të këtij kantoni në top 10, siç tregon një analizë e shifrave të fundit nga fundi i vitit 2023: Leibstadt, Reinach, Böttstein, Birr, Spreitenbach dhe Döttingen. Leibstadt është në krye në Zvicër me një përqindje prej 9.7 për qind.
Megjithatë, të dhënat në dispozicion mbulojnë vetëm një pjesë të komunitetit kosovar, pasi personat e natyralizuar nuk janë përfshirë aty…
Në të gjithë Zvicrën, rreth 27,000 kosovarë kanë marrë pjesë në zgjedhje. “Të paktën 7000 vota vijnë nga Aargau”, thotë Kryeziu. Me një grup mbështetësish të partisë ai ka organizuar aktivitete zgjedhore në Klingnau, Neuenhof dhe Birr. Në Klingnau ai ftonte palët e interesuara në dyqanin e tij elektronik Driton Tech gjatë fundjavave. Ai u shpjegonte atyre se si duhej të regjistroheshin.
Vetë Kryeziu është i bindur se Kurti është njeriu i duhur, sidomos për faktin se është i pari që merret me problemin e madh të korrupsionit. Për këtë arsye edhe ai vetë është aktivizuar politikisht: “Gjatë vizitave atje gjithmonë kam vënë re se sa të mëdha janë dallimet mes të pasurve dhe të varfërve. Politikanët me një pagë mujore prej 1500 frangash ndërtojnë dyqane dhe shtëpi që kushtojnë disa qindra mijëra franga. Si mund të ndodhë kjo?” thotë ai.
Kosovarët jashtë vendit janë më të pavarur nga përpjekjet për tu ndikuar nga elita e vjetër politike – dhe mbi të gjitha, ata vetë i kanë përjetuar avantazhet e një demokracie funksionale, thotë Kryeziu, transmeton albinfo.ch. “Qëllimi im është që në një të ardhme të ketë një standard jetese në Kosovë të ngjashëm me atë në Zvicër.”
Ujdhesa Shabani ka votuar për herë të parë në këto zgjedhje. Shkak kanë qenë prindërit e saj, thotë studentja, e cila aktualisht po kryen praktikën në këtë gazetë. Ajo ka lindur në Zvicër dhe aktualisht nuk mund ta imagjinojë të jetojë në Kosovë. Votën e saj e ka hedhur kryesisht për familjen e saj të gjerë që jeton në Kosovë “Unë dua që ata ta kenë mirë” thotë ajo. Në Kosovë, shumica e njerëzve e konsiderojnë Kurtin si opsionin e tyre më të mirë. Mbi të gjitha, të afërmit e saj konsiderojnë se ai kishte rritur mbështetjen financiare të shtetit per ta
Politikane e djathtë në Zvicër voton kryeministrin e majtë në Kosovë
Ardiana Mustafa është aktive në një parti të djathtë në Zvciër – por ajo megjithatë ka votuar për Kurtin dhe Vetëvendosjen e tij. E reja nga Zofingeni pati kandiduar për FDP në zgjedhjet parlamentare për herë të parë në vjeshtë, përcjell albinfo.ch. Profesionalisht, ajo drejton shërbimin social në Zurzach dhe punon si përkthyese gjyqësore. “Fokusi im është në Zvicër, kam lindur këtu dhe këtu jam aktive politikisht. Por në këto zgjedhje thashë me vete: Çdo votë ka rëndësi”, thotë ajo.
Kurti ishte i pari që nisi ndryshime të mëdha. Ai promovoi zhvillimin ekonomik dhe ishte i përkushtuar ndaj drejtësisë sociale dhe mbrojtjes së mjedisit. “Nëse ai ndalet tani, asgjë nga këto nuk mund të përfundojnë”, thotë Mustafa. Ajo shpreson se ai mund të formojë një qeveri – edhe me votat e diasporës – pa u mbështetur tek opozita.
The post Gazeta zvicerane: Ja si ka votuar diaspora e Kosovës në Aargau appeared first on Albinfo.