Gjashtë ditë pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, reagimet nuk ndalen: kërkohen përgjegjësi për funksionarët që e glorifikuan

Gjashtë ditë pas vdekjes së Ratko Mlladiqit, reagimet nuk ndalen: kërkohen përgjegjësi për funksionarët që e glorifikuan

Gjashtë ditë pas vdekjes së ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocidin në Srebrenicë, reagimet në rajon dhe në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të ndalur.

Ndërsa disa e glorifikojnë figurën e tij, të tjerë kërkojnë përgjegjësi dhe dorëheqje nga funksionarët që publikuan përmbajtje të cilat, sipas kritikëve, paraqesin lavdërim të një personi të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

Mlladiq vdiq më 27 gusht në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Vdekja e tij rihapi edhe një herë ndarjet politike lidhur me ngjarjet e luftërave në Ballkan.

Në qendër të vëmendjes së opinionit në Maqedoninë e Veriut u vunë publikimet në rrjetet sociale të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, kryetar i së cilës është ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoiljkoviq, si dhe publikimi i drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq.

Partitë opozitare kanë kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje nga të dy funksionarët.

LSDM: Mickoski hesht për funksionarët që e glorifikuan Mlladiqin

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e ka kritikuar sërish kryeministrin Hristijan Mickoski, duke e akuzuar se, duke mos kërkuar përgjegjësi nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoiljkoviq, dhe drejtori Dalibor Kitanoviq, në mënyrë indirekte pajtohet me qëndrimet e tyre publike lidhur me Ratko Mlladiqin.

Socialdemokratët, përmes konferencave për media dhe komunikatave gjatë ditëve të fundit, kanë kërkuar nga kryeministri që të kërkojë përgjegjësi nga dy funksionarët e Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, të cilët në rrjetet sociale kanë shpërndarë përmbajtje që, sipas LSDM-së, paraqesin glorifikim të figurës së Ratko Mlladiqit.

Nga LSDM-ja akuzojnë se Mickoski „hesht për të preferuarin e tij në Qeveri“, Ivan Stoiljkoviqin, dhe se nuk kërkon përgjegjësi as nga Dalibor Kitanoviqi.

Sipas LSDM-së, Stoiljkoviqi ka fyer deputetë në Kuvend dhe ka glorifikuar Ratko Mlladiqin, ndërsa Kitanoviqi, si drejtor i Agjencisë për të Drejtat e Komuniteteve, ka publikuar përmbajtje lavdëruese për një person që, sipas tyre, ka kryer spastrim etnik.

Partia paralajmëron se nëse nuk pasojnë dorëheqjet e Stoiljkoviqit dhe Kitanoviqit, kjo do të nënkuptojë se ata qëndrojnë pas qëndrimeve të shprehura publikisht dhe se, në mënyrë indirekte, edhe kryeministri i mbështet ato.

Publikimet shkaktuan reagime të ashpra

Të premten, më 28 gusht, në faqen në Facebook të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni u publikua një tekst me tone pozitive për Ratko Mlladiqin. Në tekst thuhej se shumë serbë e konsideronin atë gjeneralin e tyre gjatë periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Po atë ditë, Dalibor Kitanoviqi publikoi në Instagram një fotomontazh ku Ratko Mlladiqi paraqitej së bashku me figura nga historia serbe, mes tyre edhe Drazha Mihajlloviq, me mbishkrimin „Gjeneralët e ushtrisë qiellore“.

Publikimet shkaktuan reagime të forta nga partitë opozitare dhe sektori civil, të cilët kërkuan përgjegjësi nga funksionarët e lidhur me përmbajtjet e diskutueshme.

Nga Partia Liberal-Demokrate (PLD) theksuan se neni 407-a i Kodit Penal parashikon sanksione për glorifikimin, miratimin ose minimizimin e gjenocidit dhe krimeve të luftës. PLD kërkoi shkarkimin dhe ndjekjen penale të Kitanoviqit.

Nga BDI kërkuan përgjegjësi politike edhe nga koalicioni VLEN, duke argumentuar se, si partner në pushtet, nuk mund të mbetet vetëm vëzhgues dhe të mos reagojë ndaj qëndrimeve të tilla të funksionarëve qeveritarë.

Kitanoviqi e fshiu publikimin dhe kërkoi falje

Pas qëndrimit të Qeverisë se drejtori i Agjencisë duhet të largohet nga detyra nëse nuk pajtohet me faktin se Ratko Mlladiqi është dënuar për gjenocid dhe krime lufte, Kitanoviqi njoftoi në rrjetet sociale se e kishte fshirë publikimin e diskutueshëm dhe i kërkoi falje kryeministrit Hristijan Mickoski.

Ai deklaroi se përmbajtjen e kishte hequr menjëherë dhe se ishte i gatshëm të mbante përgjegjësi për çdo fjalë të tij, por nuk do të pranonte përgjegjësi për „manipulimet e të tjerëve“ me deklaratat e tij.

Kitanoviqi mohoi se kishte pasur për qëllim të fyente, poshtëronte apo lëndonte pjesëtarë të ndonjë populli, feje ose komuniteti etnik, duke vlerësuar se ndaj tij po zhvillohet një fushatë politike.DW


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.