Gjendja e Agim Islamit është rënduar në burg, familja kërkon zgjidhje për rastin “Alfa”

Gjendja shëndetësore e Agim Islamit, i dënuar me burgim të përjetshëm në rastin “Alfa”, ka filluar të rëndohet. Kështu thotë shoku i tij, Ramiz Dauti, i cili ishte arrestuar bashkë me të në rastin që lidhet me vrasjen e një polici të njësisë “Alfa” në vitin 2008 në Shkup. Pavarësisht premtimeve nga përfaqësues politikë dhe dëshmive të reja të paraqitura nga mbrojtja, familja ende pret një zgjidhje ligjore për rastin, shkruan Portalb.mk.
“Ka edhe probleme shëndetësore, sepse i ka bërë 18 vite në burg dhe kushtet atje janë shumë të rënda. Agimi është shumë durimtar, por gjendja e tij shëndetësore, si psikike ashtu edhe fizike, ka filluar të ndikojë shumë negativisht”, thotë për Portalb.mk Ramiz Dauti, shok i Agim Islamit.
Ai kujton se kur u arrestuan në vitin 2008 ishin të rinj, ndërsa sot, pas 18 vitesh, jeta e tyre ka marrë kahje krejt të ndryshme.
“Ne kemi qenë shumë të rinj kur na kanë burgosur në vitin 2008. Sot unë kam familje, kam punë, i kam të gjitha, ndërsa Agimit i mohohet e drejta e ekzistencës”, tha Dauti.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



