Hamasi bën thirrje për shkëmbim të shpejtë pengjesh dhe të burgosurish me Izraelin
Hamasi bëri thirrje për një fillim të shpejtë të një shkëmbimi pengjesh dhe të burgosurish me Izraelin, ndërsa negociatorët nga të dyja palët përgatiten të takohen në Egjipt për bisedime vendimtare që synojnë t’i japin fund luftës gati dyvjeçare në Gaza. Ministrat e jashtëm të disa vendeve, përfshirë Egjiptin, thanë se bisedimet ishin një “mundësi [...]Read More...

Hamasi bëri thirrje për një fillim të shpejtë të një shkëmbimi pengjesh dhe të burgosurish me Izraelin, ndërsa negociatorët nga të dyja palët përgatiten të takohen në Egjipt për bisedime vendimtare që synojnë t’i japin fund luftës gati dyvjeçare në Gaza.
Ministrat e jashtëm të disa vendeve, përfshirë Egjiptin, thanë se bisedimet ishin një “mundësi reale” për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.
“Hamasi është shumë i etur të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës dhe të fillojë menjëherë procesin e shkëmbimit të të burgosurve në përputhje me kushtet në terren”, ka thënë një zyrtar i lartë i Hamasit për AFP-në në kushte anonimiteti.
Nxitja diplomatike vjen pas përgjigjes pozitive të grupit militant palestinez ndaj planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftimeve dhe lirimin e robërve në Gaza në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Macro Rubio, të dielën i kërkoi Izraelit të ndalojë bombardimin e Gazës përpara diskutimeve në Egjipt.
“Nuk mund të lironi pengje në mes të sulmeve, kështu që sulmet do të duhet të ndalen”, tha Rubio në emisionin e CBS News “Face the Nation”.
Negociatorët do të mblidhen në qytetin turistik egjiptian Sharm El-Sheikh, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që shprehu shpresën se pengjet mund të lirohen brenda pak ditësh.