Hashim Thaçi: UÇK kishte dhjetëra hoxhallarë që i kthyen xhamitë në shkolla dhe baza të UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar rolin e hoxhallarëve dhe të institucioneve fetare gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një deklaratë të publikuar së fundmi, Thaçi ka thënë se në radhët e UÇK-së kishte dhjetëra hoxhallarë, duke veçuar Avdyl Krasniqin, të cilët, sipas tij, kontribuuan drejtpërdrejt në luftën për çlirimin e Kosovës.
“UÇK kishte dhjetëra hoxhë si Avdyl Krasniqi, që xhamitë i bënë shkolla edhe baza të UÇK-së dhe luftuan dhe ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi. (INA)
Në këtë kontekst është përmendur edhe një fjalim i Hoxhë Abdyl Krasniqit në fshatin Burojë, më 5 mars 1998, drejtuar xhematit.
“Kemi duru bollë, prej sot e tutje, ai i cili nuk lufton për vatan, nuk i vyn as shpisë e as fesë. Qyqanit nuk i pranohen lutjet as këtë botë e as në tjetrën”, citohet të ketë thënë Hoxhë Abdyl Krasniqi.
Deklarata e Thaçit rikthen në vëmendje kontributin e figurave fetare dhe të komuniteteve lokale në mobilizimin e popullsisë shqiptare gjatë periudhës së luftës së Kosovës.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



