Hulumtuesi i IKD-së: Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur Kushtetutën në vitin 2024

Naim Jakaj, hulumtues i Institutit Kombëtar për Demokraci (IKD), ka denoncuar shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria dhe Kuvendi gjatë vitit 2024. Ai ka theksuar se shumë nga ligjet e miratuara nga këto institucione janë shpallur të papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese. Sipas Jakajt, këto shkelje kanë krijuar një klimë të

Hulumtuesi i IKD-së: Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur Kushtetutën në vitin 2024


Naim Jakaj, hulumtues i Institutit Kombëtar për Demokraci (IKD), ka denoncuar shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës nga Qeveria dhe Kuvendi gjatë vitit 2024.

Ai ka theksuar se shumë nga ligjet e miratuara nga këto institucione janë shpallur të papajtueshme me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Jakajt, këto shkelje kanë krijuar një klimë të pasigurisë ligjore dhe rrezikojnë balancën e pushtetit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

‘’Gjatë vitit 2024, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës kanë shkelur Kushtetutën, veçanërisht në miratimin e ligjeve për të cilat Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që ato nuk janë në përputhje me parimet e ndarjes së pushteteve dhe formën e qeverisjes. GjK konstatoi disa herë se këto ligje bien ndesh me dispozitat kushtetuese, duke cenuar parimet themelore demokratike dhe duke shkaktuar kërcënim serioz për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik’’, tha Jakaj për FrontOnline.

Një ndër shkeljet më të rëndësishme që Jakaj përmendi është miratimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, i cili u shpall tërësisht jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese.

 ‘’ Një ndër rastet është rrëzimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, i cili është shpallur tërësisht jo kushtetues. Në aktgjykimin përkatës, Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar pothuajse të gjitha gjetjet e ngritura nga IKD në raportin analitik me titull “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikuar: çështje ligjore të Projektligjit aktual”, tha Jakaj.

Po ashtu, Jakaj përmendi Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), i cili u shpall jo kushtetues në masën 90% nga Gjykata Kushtetuese.

‘’Ligji për Këshillin e Pavarur të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK) është shpallur jo kushtetues në masën prej 90%. Edhe për këtë ligj, IKD kishte alarmuar për tendencat e politizimit, të dokumentuara në raportin “Tendenca për politizimin e KPMShCK’’, deklaroi Jakaj.

Gjithashtu, Jakaj ngriti shqetësimin për procedurat e miratimit të ligjeve, duke theksuar se një numër i madh ligjesh janë kontestuar për shkelje të rregullave parlamentare.

‘’Përveç përmbajtjes, një numër ligjesh janë kontestuar edhe për shkelje procedurale gjatë miratimit të tyre. Vetëm në seancën e 5 dhjetorit 2024, janë proceduar 16 ligje në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të rregullave parlamentare. Janë kontestuar edhe Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Komisionin e Pavarur për Media, të cilët janë dërguar në Gjykatë nga opozita për shkak të mos marrjes parasysh të komenteve dhe vërejtjeve nga shoqëria civile, opozita dhe Bashkimi Evropian’’, potencoi hulumtuesi i IKD.