Ilir Hasanaj, një regjisor filmi në relacionin Zvicër – Kosovë
Regjisori shqiptar nga Zvicra flet për filmin e tij “Krahët e punëtorëve” i cili vitin e kaluar ishte nominuar për Oscar dhe për jetën në mes Zvicrës e Kosovës The post Ilir Hasanaj, një regjisor filmi në relacionin Zvicër – Kosovë appeared first on Albinfo.

Ilir Hasanaj është një regjisor filmi. I lindur në Kosovë në vitin 1986, ai ka ardhur në Zvicër në moshën 7-vjeçare dhe është rritur në Winterthur ZH. Pas diplomimit për film në ZHdK (Universiteti i Arteve i Cyrihut), dokumentari i tij ME DASHT’ ME DASHT’ ME DASHT’ (2017) pati një turne të suksesshëm në festivale të ndryshme, përfshirë këtu: Hot Docs, Solothurner Filmtage dhe Dokufest, ku fitoi çmimin e audiencës.
Ai lëviz ndërmjet Prishtinës dhe Cyrihut dhe punon në projekte të ndryshme filmike me rëndësi sociale. Hasanaj gjithashtu udhëheq programin e larmishëm të kinemasë alternative “Kino ARMATA” në Prishtinë. Ndër të tjera, ai ka themeluar “Neo_School” në Prishtinë, një shkollë e orientuar drejt praktikës që u jep entuziastëve të talentuar të filmit në Kosovë mundësinë për të bërë filmin e tyre dokumentar nën mbikëqyrjen e profesionistëve.
Vitin e kaluar, filmi i tij “Krahët e punëtorëve” ishte nominuar nga Kosova për çmimin Oscar në kategorinë e filmave dokumentarë. Filmi nuk arriti në rrethin e ngushtë por ka fituar një numër të madh çmimesh në festivale të rëndësishme botërore. Kjo, dhe roli i tij si artist në relacionin Zvicër-Kosovë është temë e intervistës që Albinfo.ch ka zhvilluar me Ilir Hasanajn.
Albinfo.ch: Në CV-të tuaja që kemi pasur rastin t`i lexojmë shkruhet se ju, si regjisor, “lëvizni” në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Qëkur ka filluar kjo “lëvizje” dhe përse e keni zgjedhur atë? A do ta vazhdoni këtë “ecejake” edhe më tutje?
I.Hasanaj: Kjo lëvizje ka qenë e natyrshme. Nga mesi i vitit 2015 kam përfunduar studimet në ZHdK (Universiteti i Arteve i Cyrihut), në degën e filmit. Pas kësaj kam pasur mundësinë të punoja filmin me titull “Me dasht, me dasht, me dasht”. Kjo në një mënyrë më ka shtyrë të lëvizja nga Zvicra në Kosovë sepse një pjesë e filmit është xhiruar atje. Edhe pas kësaj e kam pasur ndjenjën se dëshiroj të kuptoj më shumë për identitetin tim. Në Zvicër shpesh me kanë thënë shqiptar, që është një fakt pasi të dy prindërit i kam shqiptarë nga Kosova. Por unë nuk e dija se çfarë i bie saktësisht kjo ndjenjë e të qenit shqiptar ose të jesh rritur apo të kesh jetuar në Kosovë. Përmes kësaj lidhjeje që e kam pasur përmes filmit, ngjarja e të cilit zhvillohej në Kosovë, kam dashur të lëvizja në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Doja të bëj diçka në Kosovë me këtë arsimim që kam bërë në Zvicër dhe në të njëjtën kohë të bëj në një mënyrë një riorientim në jetë. Kjo sepse unë gjatë studimeve kam realizuar filma artistikë dhe kalimi në Prishtinë më dukej si një mundësi që të shkëputem prej ekipeve të mëdha të filmit dhe efekteve me shumë drita, me shumë punonjës. Pra dëshiroja të realizoj një mënyrë pune me ekip minimal dhe që më jep më shumë mundësi të shprehem, për të realizuar gjuhën time të filmit. Kjo ka bërë që nga fundi i vitit 2015 të filloja lëvizjen mes Zvicrës dhe Kosovës.
Albinfo.ch: Keni krijuar një shkollë për film, në Prishtinë. A mund të na flisni pak për profilin e asaj shkolle?
I.Hasanaj: Gjatë kohës kur lëvizja, në Prishtinë bashkë me dy shokë kemi ngritur një kinema alternative që njihet si Kino Armata. Brenda saj u ngrit edhe shkolla qe mban emrin “Neo_School”. Unë e kam udhëhequr këtë shkollë që kishte si vizion të ketë 6 ose 7 persona me talent dhe interesim për film. Ata, brenda tre muajve duhej të realizojnë një film dokumentar më vete. Ne i kemi përzgjedhur në tri edicione, 6-7 persona secilin edicion, të cilët kanë pasur ndonjë ide ose koncept se çfarë duan të bëjnë. Bashkë me mentorë të tjerë, secili specialist në lëmin e vet, i kemi monitoruar. Në fund ata kanë bërë xhirimet bashkë me mua dhe ekipin e armatës dhe i kanë prezantuar publikut filmat e tyre. Disa prej tyre kanë pasur sukses të konsiderueshëm dhe mund të them se e kanë gjetur veten në film. Kështu, për shembull Redoni, pas kësaj shkolle e ka realizuar një dokumentar të gjatë, ideja e të cilit është zhvilluar brenda armatës dhe ka emrin “Kurrë nuk kam hipur në aeroplan”. Ndërsa një studente tjetër, Berta po studion filmin në FAMU-në e njohur të Pragës etj.
Albinfo.ch: Vitin e kaluar, filmi juaj “Krahët e punëtorëve” ishte nominuar nga Kosova për çmimin Oscar, por, mjerisht, nuk mundi të vazhdonte tutje. Megjithatë, mund të na flisni pak për rrugën e sukseseve të këtij filmi: Në cilët festivale të rëndësishme ka marrë pjesë dhe çfarë çmimesh ka fituar?
I.Hasanaj: Mundësia për të garuar për Oscar na ka gëzuar shumë, na ka bërë të ëndërrojmë për një kohë që filmi ynë mund të marrë pjesë në Oscars 2025. Mirëpo nuk kishte qenë ende koha për Oscars, në këtë edicion. Kjo i bie që në të ardhmen prapë do të vijë mundësia për të garuar për atë çmim. Ky sukses i deritashëm vetëm sa na ka dëshmuar që mundemi të arrijmë suksese kur të bëjmë punë të mirë.
Ndryshe, filmi ka marrë pjesë në më shumë se 20 festivale ndër të cilët disa janë me shumë rëndësi, dhe ka fituar çmimet e para. Festivali mbase më i rëndësishëm ku ka marrë pjesë dhe ka fituar ka qenë në fillim, festivali në Roterdam që ka më shumë se 50 vjet traditë. Këtu, filmi ka marrë çmimin kryesor të festivalit, në short compettion. Ky ka qene një gëzim shumë i madh për mua dhe sigurisht ky vlerësim ka qenë shumë domethënës për filmin, për rrugëtimin e tij. Ka marrë pjesë po ashtu në festivale në vendet si: në Uruguai, Hong Kong, Austri, Portugali, Meksikë, (ku po ashtu ka fituar), pastaj në Kroaci, në Kosovë, në Slloveni dhe në Greqi ka fituar po ashtu ndërsa çmimi më i fundit që ka marrë ka qenë ai në Serbi.
Albinfo.ch: Si e kanë cilësuar filmin tuaj juritë e festivaleve ku është shpërblyer? Mund të citoni ndonjë nga vlerësimet e rëndësishme?
I.Hasanaj: Mund të citoj këtu dy prej tyre. Deklarata e jurisë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Roterdam: “Filmi “Krahët e punëtorëve” është një dëshmi e punës së njerëzve të klasës punëtore, e bërë me një ton empatik dhe të butë. Ky film portretizon ngjarje tragjike në jetën e individëve, plagët dhe dinjiteti i të cilëve theksohet bukur nga një stil kinematografik i ndershëm dhe modest…”. Ndërsa juria e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Guanajuato (Meksikë), veç tjerash shprehet: “Filmi vlerësohet për një rrëfim të krijuar me zgjuarsi, i shoqëruar nga kinematografia intuitive dhe goditëse, që jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët në mbarë botën dhe gjurmët e punës në trupat e tyre”.
Albinfo.ch: Çfarë ju ka frymëzuar që ta realizoni filmin “Krahët e punëtorëve” dhe si do ta përshkruanit qasjen ndaj kësaj teme, për të cilën jeni përcaktuar ju, si realizues i filmit?
I.Hasanaj: Fillimisht ka qenë një ngjarje që ka ndikuar tek unë, një ngjarje, do të thosha edhe traumatizuese. Në vitin 2016 kur po e punoja filmin tim të parë dokumentar, në Prishtinë kam parë kur një punëtor në ndërtesën afër është rrëzuar nga 2 metra lartësi me ç` rast ka pësuar lëndime të rënda në kokë. Ishin mbledhur njerëz rreth tij duke pritur emergjencën por për shkak se ishte koha e drekës me tollovi në rrugë, emergjenca kishte vështirësi të arrinte në vendin e ngjarjes ndërsa viktima kishte dhimbje të mëdha dhe bërtiste. Ajo bërtitmë dhe gjaku që i dilte nga koka më ka mbetur në kokë dhe më ka preokupuar edhe me vite më vonë. Me këtë ngjaje në kokë, e kam ditur se dikur do të bëj një film mbi këtë temë. Kështu, në vitin 2022 vendosa të merresha aktivisht me të, dmth të hulumtoja arsyet përse ndodhnin këto aksidente. Me këtë sfond kam filluar hulumtimet e mia mbi këtë temë, për ta filmuar atë. Kam takuar shumë persona që lidhen me temën, si punëtorë që vetë kanë pësuar aksidente, pastaj kompani të ndërtimit etj., që të mund të kem një ide më të plotë rreth kësaj teme, nga të gjitha këndet. Më pastaj kam synuar që të kem një pamje vizuale në një mënyrë poetike të filmit, që të jem shumë më afër personazhit… Kam dashur të zhvilloj një gjuhë unike të filmit, një gjuhë e shprehur në shirit filmi, që të ketë njëfarë ndjenje brenda saj që filmi del si i “gërvishtur”, në shiritin 16 mm. Me këtë pikënisje e kemi zhvilluar filmin me ekipin tonë.
Albinfo.ch: Cilat janë punët tuaja aktuale: Keni në duar ndonjë film ose planifikoni ndonjë për një të ardhme më të afërt?
I.Hasanaj: Jam duke vazhduar punën. E kam aktualisht një rrëfim me të cilin jam shumë i lidhur. Është fjala për filmin mbi Jusuf Gërvallën. Është një lloj biografie e tij dhe tani jam në fazën e hulumtimit, jam duke provuar të gjej sa më shumë materiale dhe ta përmbledh si projekt. Janë edhe disa ide të tjera për të cilat më duhet ende punë, janë në fazën kritike.
Albinfo.ch: Në punën tuaj krijuese ju jeni konceptualisht të orientuar më shumë për film dokumentar sesa për atë artistik apo kjo ndodh për faktin se dokumentari kushton më pak dhe është më lehtë i realizueshëm?
I.Hasanj: Më duket se më ka ardhur shumë natyrshëm të punoj në filma dokumentarë. Ajo që të lejon të bëj dokumentari, filmi artistik nuk ta lejon. Në dokumentar punon një ekip shumë i vogël. Pastaj mua më pëlqen të lidhem drejtpërdrejtë, në momente jetësore, në kohë reale. Kështu përderisa në filmin artistik një skenë mund ta përsëritësh sa herë të duash deri ta realizosh si duhet, te filmi dokumentar është vetëm momenti konkret i realizimit ai që vlen dhe kjo më pëlqen më shumë mua. Kjo për mua është me shumë rëndësi për ta zhvilluar intuitën time dhe të gjej gjuhën e filmit që më pëlqen dhe që të identifikohem me të.
Por mendoj që kjo pyetje varet edhe nga rrëfimi. Tani, për shembull, filmi për Jusuf Gërvallën, që e kam në plan do të jetë film artistik, jo dokumentar për shkak se tregimi e kërkon kështu.
Albinfo.ch: Si e shihni gjendjen aktuale të filmit ndër shqiptarët, në Kosovë, po edhe në Shqipëri dhe kudo tjetër ku xhirohet filmi shqip? A mund të flitet për një “boom” të filmit, veçanërisht atij të Kosovës, siç është thënë here pas here viteve të fundit?
I.Hasanaj: Mund të them se filmi në Kosovë është duke pasur shumë suksese për arsyen se filmat e atjeshëm janë të ndërtuar dhe të treguar shumë mirë. Kjo ndoshta mund edhe të shihet si njëfarë “boom”-i. Mendoj që tregimet që po vijnë nga Kosova po janë shumë unike si rrëfime prandaj kjo po vlerësohet edhe në festivalet në botë. Shpresoj që ky vlerësim do të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme.
Albinfo.ch: A ka mbështetjen e duhur filmi në vendet tona të prejardhjes, gjegjësisht a “ja vlen” të punohet filmi, në kushtet ekzistuese atje?
I.Hasanaj: Normalisht, mbështetja nuk është kurrë e mjaftueshme. Burimi kryesor dhe më i madh i financimit të filmit në Kosovë është QKK (Qendra Kinematografike e Kosovës). Mendoj se si fillim nuk është edhe keq por realisht, një pjesë të filmave të mi i kam financuar nga xhepi im. Kjo tregon se ka nevojë për më shumë mbështetje për filmin në Kosovë. Unë për filmin e fundit kam punuar më shumë se dy vjet dhe ende më bie të bëj ndonjë punë rreth tij, si për shembull interesimi për festivale, takimet me producentët, distributorët etj. Prandaj është me rëndësi që të ketë një buxhet të mirë sepse për të bërë filmin me cilësi të lartë nevojiten persona që e realizojnë atë, aktorë, teknikë, mjete transporti etj. dhe të gjitha këto kushtojnë. Dhe tek ne shumica e punëve bëhen pa pagesë ose vetëm si një favor që ia bën dikush filmit… Për këto arsye unë shpresoj se do të rritet buxheti mes tjerash edhe për faktin se Kosova e ka shpallur filmin si interes kombëtar dhe tani po mungon vetëm që kjo shpallje të merret seriozisht dhe të realizohet, që filmi ynë të ketë suksese edhe më të mëdha.
The post Ilir Hasanaj, një regjisor filmi në relacionin Zvicër – Kosovë appeared first on Albinfo.