“Institucionet duhet të bëjnë më shumë për dënimin e gjenocidit mbi shqiptarët”
Qendra “Gjenocidi në Kosovë - Plagë e hapur” ka mbajtur të shtunën një tubim përkujtimor në Birr (Aargau) për të përkujtuar gjenocidin serb mbi shqiptarët The post “Institucionet duhet të bëjnë më shumë për dënimin e gjenocidit mbi shqiptarët” appeared first on Albinfo.

Për të nderuar kujtimin e viktimave të luftës në Kosovë, gjegjësisht për të shënuar 15 Janarin, Ditën e Gjenocidit serb mbi shqiptarët e Kosovës, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka mbajtur të shtunën një tubim përkujtimor në Birr (Aargau).
Në mesin e një numri të madh pjesëmarrësish, në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifi dhe konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.
“Ne nuk harrojmë” ishte motoja e veprimtarive që këtë vit janë organizuar në përkujtim të kësaj dite të shënuar, e cila kësaj here përkoi me dhjetëvjetorin e themelimit të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, shkruan albinfo.ch.
Në emrin e kryesisë, një fjalë mbi mesazhet që përcjell shënimi i kësaj date, ka folur Adnan Asllani, nënkryetar i Qendrës. Duke kujtuar numrin e madh të viktimave të luftës së fundit, të vdekurve, grave të përdhunuara dhe dëbimin masiv ai veç tjerash ka thënë: “Sot, ndërsa ne shënojmë 15 janarin dhe nderojmë viktimat e gjenocidit në Kosovë, drejtësia ende nuk është vendosur (…). Sot, në vend të kriminelëve serbë të cilët do të duhej të vendoseshin para drejtësisë ndërkombëtare, për të dhënë llogari për krimet e kryera, në vend se shteti serb të marrë dënimin për planifikimin e zbatimin e planit të gjenocidit kundër shqiptarëve, sot në të ashtuquajturën Gjykatë Speciale po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Po gjykohet pikërisht ajo ushtri që ka bërë përpjekjet titanike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga agresori gjenocidal – shteti serb”.
Asllani, më tutje ka folur për punën e qendrës në përmbledhjen e dokumentacioneve dhe publikimin e librave në shërbim të sensibilizimit të opinionit shqiptar dhe ndërkombëtar me gjenocidin që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. “Ne e kemi bërë edhe në të kaluarën duke botuar libra, artikuj e shpërndarë fotografi dhe materiale të tjera, nëpërmjet të cilave kemi përçuar mesazhin për nevojën e arritjes së drejtësisë për plagët tona të hapura. Dua të veçoj me këtë rast projektin tonë të ri, librin «Krimi i Gjenocidit – Aspekte teorike dhe studime rastesh» i autorit Bardhyl Mahmuti, i cili sivjet do të botohet”, është shprehur ai, duke prezantuar punën e madhe vullnetare që po bën Qendra, e ndihmuar nga donatorë vullnetmirë. “Por, në rend të parë do t’i takonte shtetit të Kosovës i cili duhet të ketë një ndjeshmëri më të madhe dhe ta marrë më seriozisht të kaluarën e të ardhmen e popullit të saj”, ka shtuar Asllani më tutje. Ai ka thënë se po ashtu edhe Shqipëria zyrtare dhe subjektet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë borxh të veprojnë në këtë drejtim.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Mentor Latifi, duke përshëndetur punën e Qendrës, ka folur për rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së kujtesës mbi krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë po edhe në përgjithësi, në vatrat e luftës. Ai me këtë rast, duke nënvizuar fuqinë e dëshmisë për dhunën ka cituar një thënie të të mbijetuarit të holokaustit, shkrimtarit e mendimtarit të njohur hebre, Primo Levi, që thotë “Ne, të mbijetuarit, jemi dëshmitarë dhe çdo dëshmitari kërkohet – edhe me ligj – të dëshmojë plotësisht dhe me vërtetësi. Është një detyrë morale për ne. Sepse grupi ynë, që ka qenë gjithmonë i vogël, po bëhet gjithnjë e më i vogël”.
Kryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, Bardhyl Mahmuti në fjalën e tij është ndalur veç tjerash në përkufizimin e veprës së gjenocidit, sipas terminologjisë aktuale të të drejtës ndërkombëtare. Ai ka sqaruar me këtë rast se “pas luftës ka pasur një premtim të bërë me rastin e bartjes së kompetencave të kryeprokurores së Gjykatës së Hagës nga Luis Arbour tek Carla Del Ponte, se krimet në Kosovë do të trajtohen në kuadër të përkufizimit të gjenocidit. Por më vonë, në marrëveshje edhe me Beogradin, shkalla e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë u ul nga “Gjenocidi” në “Krime kundër njerëzimit”, që, sipas tipologjisë së krimeve, qëndron një shkallë më poshtë se sa gjenocidi.
Më tutje ai ka folur për librat e botuar në disa gjuhë nga Qendra dhe për shpërndarjen e tyre në qarqet me interes për njohjen dhe pranimin e të vërtetës së gjenocidit serb mbi shqiptarët. Ajo që është për tu shqetësuar është e dhëna se në shumë nga këto qendra, ka depërtuar dhe është pranuar “e vërteta” serbe mbi luftën më shumë sesa e jona, prandaj imponohet nevoja për punë më të madhe e më të strukturuar të institucioneve të shteteve tona, kundër ke¨saj tendence.
Me një fjalë emocionuese është paraqitur edhe pianistja dhe studiuesja e muzikës, Edlira Dedja, e cila ka lexuar një letër dëshmi të vëllait të saj, publicistit të njohur dhe ish politikanit Taulant Dedja. Ky i fundit në këtë letër përshkruan situatën rreth pritjes së refugjatëve nga Kosova në shtetin shqiptar në vitin 1999 dhe tensionet në rrafshin politik në prag të sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe, në po atë vit. Në atë kohë, Dedja, në cilësinë e zëvendësministrit, ishte i ngarkuar nga Qeveria e Shqipërisë, me pritjen dhe sistemimin e refugjatëve nga Kosova.
Këngëtarja e re Lirona Sadriu është paraqitur me dy këngë të kënduara me përkushtim ndërsa poetët Dan Kosumi dhe Isuf Sherifi kanë deklamuar poezi të tyre me tematikë të luftës së fundit në Kosovë.
Tubimin e ka moderuar me kompetencë, Dan Morina.
(Fotot: albinfo.ch dhe Adrian Asllani)
The post “Institucionet duhet të bëjnë më shumë për dënimin e gjenocidit mbi shqiptarët” appeared first on Albinfo.