Kadaj-Bujupi: Ajo që u organizua sot në Kuvend nuk mund të cilësohet aksion politik

Ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka deklaruar se ajo që u organizua sot në Kuvend nuk i plotëson kriteret e një aksioni politik, duke theksuar se kundërshtimi parlamentar duhet të lidhet me kauza madhore dhe jo me përplasje fizike.
Sipas saj, veprime të tilla në parlamentet e vendeve demokratike ndërmerren kur opozita përballet me vendime që cenojnë territorin, kufijtë, rendin kushtetues apo jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Aksionet në parlamente, kudo në botën demokratike, bëhen për kauza madhore. Sepse për temat e tjera deputetët kanë kanale të tjera ku veprojnë dhe komunikojnë”, ka shkruar Kadaj-Bujupi, ish-këshilltare e ish-presidentes Vjosa Osmani.
Duke rikujtuar protestat e opozitës në Kuvend gjatë viteve 2015 dhe 2016, ajo ka thënë se kundërshtimi i atëhershëm kishte buruar nga një varg vendimesh që preknin rendin kushtetues dhe integritetin e shtetit.
“Kemi bërë aksione. Për to jemi arrestuar dhe kemi bërë burg. Disa herë. Pastaj kanë ardhur proceset gjyqësore, që vijojnë ende sot, dhe si rrjedhojë disave prej nesh u është pamundësuar kandidimi në lista zgjedhore”, ka shkruar ajo në një postim të ilustruar me foto ku shihet bashke me Albin Kurtin në bankën e të akuzuarve për gaz në kuvend.
Ish-deputetja ka theksuar se, pavarësisht tensioneve të asaj periudhe, asnjë nga pjesëmarrësit në protestat parlamentare nuk kishte ushtruar dhunë fizike ndaj deputetëve të pushtetit.
“Ama asnjëri prej nesh nuk ka prekur me dorë, nuk ka shtyrë fizikisht dhe nuk është përleshur personalisht me asnjë nga deputetët e qeverisë së asaj kohe. Gazi ka qenë mjeti përmes të cilit është pamundësuar votimi në sallë. Objektivi ishte votimi, jo njeriu”, është shprehur Kadaj-Bujupi.
Ajo ka shtuar se kauza e tyre ishte dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila, sipas saj, e kishte shpallur marrëveshjen antikushtetuese.
“Ideja, objektivi, rruga institucionale dhe përgjegjësia e pranuar para ligjit. Ky është kriteri. Sepse aksioni politik është e kundërta e përplasjes fizike. Ajo që u organizua sot në Kuvend nuk i nënshtrohet të njëjtit kriter”, ka përfunduar Kadaj-Bujupi.
Gjatë ditës, deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Gjatë kësaj kohe pati disa raste ku pati shtyrje fizike në mes deputetëve të partive ish-opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



