Kina akuzon SHBA për shkelje të marrëveshjes tregtare, paralajmëron masa të forta

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të rënda të marrëveshjes tregtare dhe ka paralajmëruar se do të marrë masa të fuqishme për të mbrojtur interesat e saj. Ministria e Tregtisë e Kinës tha se veprimet e SHBA-së kanë “dëmtuar seriozisht” marrëveshjen e arritur gjatë bisedimeve në Gjenevë muajin e kaluar, ku të dyja [...]Read More...

Kina akuzon SHBA për shkelje të marrëveshjes tregtare, paralajmëron masa të forta

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për shkelje të rënda të marrëveshjes tregtare dhe ka paralajmëruar se do të marrë masa të fuqishme për të mbrojtur interesat e saj. Ministria e Tregtisë e Kinës tha se veprimet e SHBA-së kanë “dëmtuar seriozisht” marrëveshjen e arritur gjatë bisedimeve në Gjenevë muajin e kaluar, ku të dyja vendet ranë dakord për uljen e tarifave mbi mallrat që importoheshin nga njëra-tjetra.

Një zëdhënës i Ministrisë shtoi se veprimet e SHBA-së kishin shkelur gjithashtu konsensusin e arritur në një telefonatë mes presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, dhe liderit kinez, Xi Jinping, në muajin janar.

Këto komente vijnë pas deklaratave të Trump të premten, ku ai tha se Kina “kishte shkelur plotësisht marrëveshjen me ne”. Presidenti amerikan nuk dha detaje, por përfaqësuesi tregtar i SHBA-ve, Jamieson Greer, më vonë sqaroi se Kina nuk po hiqte barrierat jo-tarifore siç ishte rënë dakord në marrëveshje.

Sipas marrëveshjes tregtare të arritur në maj në Gjenevë, SHBA uli tarifat për mallrat kineze nga 145% në 30%, ndërsa tarifat e Kinës mbi mallrat amerikane ranë nga 125% në 10%.

Për më tepër, Pekini tha se shkeljet nga SHBA përfshinin ndalimin e shitjeve të softuerëve të dizajnit të çipave për kompanitë kineze, paralajmërimin për përdorimin e çipave të prodhuar nga gjiganti teknologjik kinez Huawei, si dhe anulimin e vizave për studentët kinezë.

Marrëveshja e arritur në Gjenevë ishte një befasi për shumë analistë, pasi dy palët dukeshin shumë larg njëra-tjetrës në shumë çështje tregtare. Kjo tregoi se gjatë bisedimeve të drejtpërdrejta, Washingtoni dhe Pekini mund të arrijnë marrëveshje.

Megjithatë, me përshkallëzimin e retorikës, po bëhet gjithnjë e më e qartë se truceja e tanishme është e brishtë dhe se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të arrihet një marrëveshje tregtare afatgjatë. / abcnews.al