“Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër nuk është konservator, por i hapur dhe integrues“

Intervistë me Imam Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, KMSHZ The post “Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër nuk është konservator, por i hapur dhe integrues“ appeared first on Albinfo.

“Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër nuk është konservator, por i hapur dhe integrues“

Një artikull i botuar të dielën e shkuar në gazetën “Tages-Anzeiger” ka ngritur shqetësimin e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër. Platfroma mediale albinfo.ch bisedoi me Mehas ef. Alija, kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, ku u shtruan temat që lidhen me perceptimin kritik të një artikulli të botuar në “Tages-Anzeiger”.

Alija sqaron se ky artikull është selektiv dhe nuk pasqyron realitetin e shumicës së xhamive shqiptare, të cilat janë të hapura, bashkëpunuese dhe të integruara në shoqërinë zvicerane. Ai nënvizon keqinterpretimin e çështjes së vajzave me shami, duke theksuar lirinë e tyre personale dhe sukseset e shumta në arsim e profesion. Po ashtu, Alija ndan qëndrimin e tij për figurat publike fetare, duke bërë thirrje për kujdes e vetëkritikë. Në fund, ai thekson raportet e mira me autoritetet vendase dhe përçon thelbësisht mesazhin e një Islami të hapur, të përgjegjshëm dhe të harmonizuar me vlerat e Zvicrës moderne. Për më shumë, bisedën e plotë me Imam Mehas ef. Alija, kryetar të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, e gjeni në vijim.

Albinfo.ch: Në një artikull të botuar në gazetën “Tages Anzeiger” komuniteti musliman shqiptar në Zvicër kritikohet për, siç thuhet, “Islamin gjithnjë e më konservator”. Cili është qëndrimi juaj lidhur me këtë kritikë?

Mehas Alija: Së pari, ju falënderoj juve dhe redaksinë e Albinfo.ch për mundësinë e dhënë që të shprehemi lidhur me këtë çështje. Artikulli i botuar në gazetën “Tages-Anzeiger” ka tone kritike dhe skeptike, por njëkohësisht është selektiv dhe i njëanshëm. Ai nuk pasqyron realitetin e shumicës së xhamive shqiptare në Zvicër. Në vend që të ofrojë një analizë neutrale dhe gazetareske, artikulli përmban tendenca paragjykuese dhe, nga raste të veçuara, përpiqet të gjeneralizojë të gjithë komunitetin. Të paktën, do të duhej të kishte një balancim duke paraqitur edhe shumë shembuj pozitivë që ekzistojnë në komunitetin tonë. Po ashtu, artikulli ndjek një model tashmë të njohur: tituj dramatikë, fotografi të zgjedhura dhe citime të theksuara që krijojnë perceptim të gabuar. Ne, si Komunitet Musliman Shqiptar në Zvicër, jemi të hapur për çdo debat të ndershëm dhe kritikë konstruktive, por jo për qasje që ushqejnë paragjykime dhe përjashtim. Të gjitha xhamitë tona janë të hapura për publikun dhe mund të vizitohen nga kushdo. Që prej miratimit të Kartës së vitit 2017, ne kemi theksuar qartë përkushtimin ndaj rendit juridik zviceran, barazisë gjinore dhe bashkëjetesës paqësore. Ky është realiteti i vërtetë i komunitetit tonë, i përcaktuar për një veprimtari të integruar, të matur dhe të përgjegjshme, që kontribuon pozitivisht në shoqërinë zvicerane.

Albinfo.ch: Në artikull veçanërisht kritikohet fakti që në disa xhami janë parë vajza të moshave të vogla me shami. Si i përgjigjeni kësaj kritike dhe cili është qëndrimi juaj lidhur me mbulesën?

Mehas Alija: Ky është një shembull tipik i perceptimit selektiv. Në fotografitë që janë përdorur si “dëshmi”, bëhet fjalë për vajza që në jetën e përditshme dhe në shkollë nuk mbajnë shami, por që gjatë ceremonive fetare apo orëve të mësimit të Kuranit vishen në mënyrë tradicionale, ashtu siç ndodh në çdo kulturë apo fe gjatë ngjarjeve fetare. Kjo nuk imponohet nga askush, por bazohet në vullnetin e lirë të prindërve dhe fëmijëve. Për ta paraqitur këtë si shenjë të “konservatorizmit” është padrejtësi dhe krijon klishe për “vajzën e shtypur muslimane”. Në realitet, vajzat shqiptare muslimane në Zvicër janë ndër më të suksesshmet në shkolla, universitete dhe profesione — nga juriste, psikologe e deri te sportiste. Disa prej tyre mbajnë shami, disa jo, dhe të gjitha jetojnë të lira e të respektuara. Ka pasur reagime edhe nga këto vajza, të cilat janë ndier të ofenduara dhe të parespektuara nga mesazhet e gazetares.

Albinfo.ch: Aty flitet për jetën fetare në Kosovë, ilahistin Adem Ramadani, të gjitha në konotacion negativ. Çfarë lidhje kanë ato me realitetin e shqiptarëve muslimanë në Zvicër?

Mehas Alija: Në artikull janë përzier tema që nuk kanë asnjë lidhje me jetën islame të shqiptarëve në Zvicër. Komunitetet tona janë institucione zvicerane që funksionojnë sipas ligjeve të këtij vendi dhe në bashkëpunim të rregullt me autoritetet lokale. Kur ndonjë imam apo artist fetar merr pjesë si mysafir në ndonjë ngjarje, kjo nuk do të thotë se ai përfaqëson qëndrimet e komunitetit tonë. Në disa raste madje janë përmendur edhe persona që nuk kanë qenë fare të pranishëm në aktivitetet që u përmendën.

Për fat të keq, nga disa raste individuale ndërtohet një “trend” i rremë, sikur e gjithë mërgata shqiptare po bëhet më konservatore. Ne kërkojmë që çdo vlerësim të bazohet në fakte, jo në stereotipe. Unë dua të jap një mesazh për të gjitha xhamitë tona në Zvicër: të kenë kujdes se çfarë personash ftojnë në aktivitetet e tyre dhe në ngjarjet që zhvillojnë. Dorën në zemër, ka imamë dhe artistë që vërtet nuk na bëjnë aspak nder në jetët tona. Duhet të jemi edhe autokritikë. KMSHZ nuk i përkrah mendimet dhe qasjet selektive, ekstremiste dhe ato që cenojnë bashkëjetesën ndërfetare dhe ndërkulturore në shoqërinë zvicerane.

Albinfo.ch: Si qëndrojnë raportet mes qendrave islame dhe autoriteteve vendase?

Mehas Alija: Raportet tona me autoritetet zvicerane janë të mira dhe bashkëpunuese. Ne kemi kontakte të rregullta me komunat, policinë, shkollat dhe zyrat e integrimit në shumë qytete të vendit. Xhamitë tona janë pjesë aktive e jetës shoqërore dhe kontribuojnë në dialog, mirëkuptim dhe integrim. Një shembull konkret është xhamia shqiptare në Wil, e cila gjatë viteve të fundit ka pritur qindra grupe vizitorësh, përfshirë klasa shkollore, përfaqësues institucionesh, shoqata, grupe kishtare dhe qytetarë të zakonshëm. Asnjë vizitor, qoftë ai mysliman apo jo, nuk është detyruar apo kërkuar ndonjëherë të mbajë shami gjatë hyrjes në xhami. Të gjithë priten me respekt dhe mikpritje, siç e kërkon etika jonë fetare dhe kulturore. Madje, ndër njoftimet tona të fundit është edhe falënderimi zyrtar nga qyteti i Wil-it, i cili ka vlerësuar hapur bashkëpunimin dhe qasjen e kryesisë dhe të imamit të xhamisë, Bekim Alimi, ndaj publikut të gjerë. Në të njëjtën frymë veprojnë edhe xhamitë e tjera të përmendura në artikull.

Këto janë fakte që tregojnë realitetin e jetës sonë islame në Zvicër: një Islam të hapur, të respektueshëm dhe të integruar, që është pjesë e natyrshme e shoqërisë zvicerane dhe europiane. Ne i ftojmë të gjithë, përfshirë gazetarë e qytetarë, të na vizitojnë, të shohin realitetin nga afër dhe të mos mjaftohen me interpretime të njëanshme. Ne jemi pjesë e Zvicrës dhe Zvicra është pjesë e jona — theksoi në fund të bisedës sonë për Albinfo.ch, Mehas Alija, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër.

Irfan Agushi

Lexoni po ashtu:

Gazeta zvicerane: “Islami shqiptar po bëhet gjithnjë më konservator”

 

The post “Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër nuk është konservator, por i hapur dhe integrues“ appeared first on Albinfo.